Kuzhinë

 Dita e 14-të e protestës, studentët dhe gjimnazistët mblidhen para Ministrisë së Arsimit

Protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve në Tiranë vijon për të 14-ën ditë radhazi. Protestuesit janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ku kanë përsëritur kërkesat e tyre dhe kanë bërë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.

Sipas raportimit të gazetares së RTSH-së, Keti Toroveci, situata para Ministrisë së Arsimit ka qenë e qetë gjatë grumbullimit të protestuesve, ndërsa në zonë ishte vendosur një kordon policie për monitorimin e zhvillimeve.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTSH 1, gazetarja bëri me dije se studentë, pedagogë dhe gjimnazistë protestues nisën të mblidheshin rreth orës 14:45.

“Studentët, pedagogët dhe gjimnazistët protestues, si edhe në ditët e mëparshme, janë mbledhur në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit. Situata ka qenë e qetë deri në këto momente dhe nuk ka pasur thirrje apo akte dhune ndaj institucionit të ministrisë apo forcave të policisë”, raportoi gazetarja Keti Toroveci.

Ajo shtoi se protestuesit vijojnë të grumbullohen në zonë, ndërsa janë marrë masa për devijimin e trafikut.

“Protestuesit po grumbullohen gradualisht, ndërsa është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në Rrugën e Durrësit. Gjithashtu, ka pasur komunikime mes protestuesve dhe forcave të policisë, por pa incidente”, tha Toroveci.

Gjatë grumbullimit para Ministrisë së Arsimit, protestuesit brohoritën në kor thirrje si “Dorëheqje” dhe “Revolucion”, ndërsa më pas marshuan drejt Kryeministrisë për të vijuar tubimin.

Protestuesit kanë refuzuar edhe këtë herë ftesën e kryeministrit për dialog. Në përfundim të marshimit, përpara godinës së Kryeministrisë pati tensione, ku disa prej protestuesve thyen dhe dogjën karriget e vendosura simbolikisht si pjesë e ftesës për dialog nga ana e qeverisë.

Protesta po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa forca të shumta policie vijojnë të monitorojnë situatën përgjatë itinerarit të marshimit.

/rtsh.al/

Të Ngjashme