Kur mbyllim sytë, dëshira jonë është të kemi një gjumë të qetë. Por në realitet ndërsa ne flemë trupi ynë përjeton fenomene magjepsëse që do të na zgjojnë kureshtjen. Kur ne flemë asnjë element i trupit tonë nuk pushon së qeni aktiv, por ja se çfarë mund të ndodhë kur jemi të pavetëdijshëm.
Dridhje e menjëhershme
Besojmë se nuk ka njeri që nuk e ka provuar asnjëherë në jetë të dridhet pothuajse sapo e zë gjumi. Ky fenomen njihet si spazma hipnike dhe shfaqet vetëm kur jemi duke fjetur. Kjo për faktin se trupi ynë po përgatitet për fenomenet që do të përjetojë gjatë gjumit. Funksionet tona ngadalësohen dhe, ndonjëherë, truri i interpreton këto ndryshime sikur të ishte një rënie. Kjo është arsyeja pse ai reagon kështu.
Paraliza e gjumit
Paraliza e gjumit është një fenomen që ndodh vetëm gjatë fazës së thellë të gjumit, e njohur ndryshe si faza REM (Rapid Eye Movement). Ka momente në të cilat befas mendojmë se jemi duke ëndërruar dhe e dimë se ai makth i tmerrshëm ku jemi zhytur, nuk është i vërtetë. Por, na ndodh që sado të përpiqemi të reagojmë apo të lëvizim, nuk mundemi.
Kërcitja e dhëmbëve
Ky fenomen njihet ndryshe si bruksizëm. Ne i kërcasim dhëmbët në raste kur kemi kaluar një ditë të stresuar ose na mundon një situatë stresuese që mund të na vijë në ditët në vijim.
Flisni me zë të lartë
Ky është një fenomen shumë i zakonshëm, por që shkakton edhe probleme në çift, pasi bëhet shqetësues për partnerin tjetër. Në atë gjendje mund të thuhen gjëra që mund t’i kishim fshehur thellë në veten tonë, pa dëshirën për t’i shprehur. Por, ja që ndodh dhe në gjendje vetëdije kur dikush tjetër na i tregon, ne refuzojmë t’i besojmë.
Eksitim seksual
Sigurisht që nuk është një gjë e re dhe është diçka që ndodh shpesh. Për shembull, është e zakonshme që meshkujt të kenë ereksione gjatë natës, një fenomen që vjen thjesht nga një reagim natyral dhe i shëndetshëm, duke qenë se gjaku ka tendencë të oksigjenohet dhe mund të shkaktojë këtë ereksion të papritur.
Por ky nuk është një fenomen ekskluzivisht mashkullor. Edhe gratë ndonjëherë e përjetojnë këtë ndjenjë eksitimi, ndoshta të nxitur nga ëndrrat disi të egra. Eksitimi vjen pikërisht për faktin se gjatë natës trupi sekreton disa hormone të afta për të shkaktuar këtë gjendje.
Lëvizni më shumë sytë
Edhe nëse qepallat tona janë të mbyllura, sytë tanë nuk ndalojnë së lëvizuri, veçanërisht gjatë gjumit REM. E vërteta është se shkencëtarët nuk kanë arritur ende në një shpjegim unanim se pse ndodh. Shumë e lidhin fenomenin me stimulimin e fortë neuronal të natës, atë aktivitet intensiv që na lejon të organizojmë kujtimet, të klasifikojmë informacionin dhe kështu të optimizojmë kujtesën . Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojën biologjike dhe të domosdoshme për të shijuar një gjumë të qetë dhe rigjenerues.
Natën trupi është më i gjatë
Ju befason? Sigurisht që po, por mos u shqetësoni, thjesht jemi pak më të gjatë, asgjë më shumë. Kjo për faktin se gjatë natës shtylla kurrizore hidratohet dhe zgjatet, sepse hapësira midis rruazave rritet pak, duke na dhënë atë ndryshim të vogël në lartësi. Natyrisht në mëngjes rruazat tkurren dhe kthehen në pozicionin e tyre origjinal.