ShowBizzz

Çfarë mund të na mësojë një murg budist për biznesin?

Nga Ian Wylie

Phra Anil Sakya, një nga murgjit budistë më të vjetër të Tajlandës, u mëson kujdesin drejtuesve të biznesit dhe kriminelëve. Në Rayong Central, një burg i sigurisë së lartë ku vuajnë dënimin më shumë se 7.000 të burgosur, programi i tij i kujdesshëm i terapisë njohëse ka një rekord mbresëlënës.

Në përgjithësi, një e treta e të burgosurve të liruar nga burgjet e Tajlandës e përsërisin veprën penale dhe burgosen sërish brenda 3 viteve. Por sipas Phra Anil, 9 nga 10 të burgosur që kryejnë kursin e tij nuk kthehen më kurrë. “E pyeta një vrasës që ishte paguar për të vrarë viktimën e tij se përse e kreu krimin?”- kujton Phra Anil një nga bisedat.

“Ai më tha: Zotëri i nderuar, sepse vrasja është puna ime! Të jesh i ndërgjegjshëm do të thotë të dish se çfarë është e gabuar apo e drejtë për njerëzimin. Prandaj kur unë flas me drejtuesit e biznesit, u mësoj atyre se duhet të vendosin njerëzit përpara fitimit. Fokusi është tek ajo që jeni vërtet, dhe kjo arrihet duke ndryshuar në fillim veten përpara se të përpiqeni të ndryshoni të tjerët”- thotë ai.

Mësimi i ndërgjegjësimit – pra kushtimi i vëmendjes në momentin aktual – dhe vetë-ndërgjegjësimi është një prirje në rritje në fushën e edukimit të drejtuesve të biznesit, pasi shkollat synojnë që t’i ndihmojnë ata të vlerësojnë dhe adoptojnë stile më reflektuese, analitike dhe bashkëpunuese të vendimmarrjes dhe menaxhimit.

Arsyetimi është i tillë: Si mund t’i udhëheqësh të tjerët, në rast se nuk di të drejtosh veten?

Ndaj Phra Anil është një folës i rregullt në programet e edukimit të drejtuesve ekzekutivë në Sasin School of Management në Bangkok. Drejtori i shkollës Ian Fenwick, që kohët e fundit ka krijuar edhe një sallë meditimi thotë: “Ne në Tajlandë kemi një avantazh për shkak të traditës së Budizmit. Shumë drejtues të biznesit, janë mësuar të shkojnë në tempull dhe të kalojnë një periudhë të qetë”.

Sipas tij, nëse e zëvendësojmë fjalën “ndërgjegjshmëri” me “reflektim”, atëherë ajo bëhet shumë më e arritshme për shumëkënd. “Ne vetëm sa po i inkurajojmë njerëzit të marrin kohë dhe të reflektojnë, të abstragojnë nga menjëhershmëria e situatës dhe të analizojnë ftohtë vendimet që duhet të marrin”- shton Fenwick.

Inkurajimi i reflektimit nuk është një disiplinë e re në këtë fushë. Më shumë se një çerek shekulli më parë, studiuesi kanadez Henry Mintzberg ndihmoi në zbatimin e Programit Ndërkombëtar të Masterit për Menaxherët (IMPM) në 5 universitete në mbarë botën.

Kursi një vjeçar, i cili trajton drejtuesit e bizneseve në Japoni, Brazil, Indi, Kanada dhe Britani, synon ta ri-fokusojë edukimin e biznesmenëve rreth 5 mentaliteteve, përfshirë “mendësinë reflektuese”, që mësohet në Universitetin e Lankasterit në Britani.

Drejtuesit e biznesit vizitojnë drejtuesit fetarë lokalë për të vlerësuar një ndjenjë alternative të vetvetes dhe për të mësuar stilin e tyre të vendimmarrjes dhe menaxhimit. Ecja, poezia dhe lundrimi me kanoe janë gjithashtu pjesë e përvojës.

“Ne e mendojmë përqendrimin dhe reflektimin më shumë si një praktikë sociale dhe bashkëpunuese, sesa si një lloj meditimi, me të cilin ti del jashtë botës”- shpjegon Martin Brigham, drejtor i IMPM dhe profesor i asociuar në Shkollën e Menaxhimit të Universitetit Lankasterit.

“Shumë drejtues biznesi i marrin vendimet në mënyrë të pamenduar, njëlloj siç ndërrojnë marshin kur i japin makinës. Reflektimi është një mënyrë për t’ju nxitur të mendoni mbi idetë tuaja, në vend se të veproni pa menduar gjithçka që keni bërë në të kaluarën”- shton ai.

Brigham citon studentin Abbas Gedi Gullet, i cili drejtoi kampet e refugjatëve për Kryqin e Kuq në Kenia. Pas përfundimit të programit, ai e bindi organizatën të investojë në një lloj tjetër akomodimi – hotele luksoze – dhe t’i përdorë fitimet për bamirësi. “Përmes reflektimit, ai ishte në gjendje të ndryshonte mendimin. Menaxherëve u pëlqen të rregullojnë gjërat, por ndonjëherë ata duhet të sfidojnë edhe filozofinë në të cilën bazohen veprimet e tyre”- thotë Brigham.

Por vetëdija dhe reflektimi nuk janë vetëm për ata në nivele drejtueset. Studiuesit në Shkollën e Biznesit të Universitetit Ekster, zbuluan se në role veçanërisht monotone, punonjësit që janë më “të ndërgjegjshëm” kanë kënaqësi më të madhe nga puna që bëjnë dhe më pak gjasa të largohen apo të mendojnë se puna e tyre është e mërzitshme.

Sipas një sondazhi nga “Fidelity Investments dhe Business Group on Health”, më shumë se gjysma e punëdhënësve amerikanë ofrojnë një formë trajnimi të ndërgjegjësimit për punëtorët e tyre. Abonimet falas në aplikacionet e meditimit Calm dhe Headspace, janë ndër përfitimet falas pas pandemisë të ofruara nga kompani të mëdha si Starbucks.

Zyrat e reja të prodhuesit të pijeve “Diageo” në Londër, përfshijnë një kat të tërë ky ndodhet sektori i “mirëqenies”, dhe një studio që organizon kurse të shëndetit dhe mirëqenies mendore, duke përfshirë vëmendjen dhe meditimin.

Megjithatë, ndërsa studimet kanë treguar se ndërgjegjja mund të përmirësojë vetëvlerësimin, reduktojë ankthin dhe të ndihmojë në menaxhimin e depresionit tek shumë punonjës, psikologët kanë paralajmëruar se për një pakicë të vogël, disa praktika të ndërgjegjes mund të kenë një efekt të kundërt, duke i bërë njerëzit më të shqetësuar, madje duke u shkaktuar deri edhe sulme paniku.

Në kushtet kur shumë shkolla biznesi po nxitojnë të shtojnë vëmendjen tek reflektimi dhe meditimi, si mund ta dallojnë drejtuesit se çfarë është produktive apo kundër-produktive?

“Është përgjegjësia jonë që të përdorim mjete, metoda dhe koncepte të vërtetuara shkencërisht si dobiprurëse”- thotë Tom Lindholm, drejtor menaxhues në Arsimin Ekzekutiv të Universitetit Alto në Finlandë.

Programet e Alto përfshijnë një proces të integruar të zhvillimit personal të krijuar për të rritur vetë-zhvillimin dhe vetëdijen. “Disa nga drejtuesit e biznesit po raportojnë rritjen brenda tyre të ndjenjës së një mbështetjeje të padukshme, gjë që u jep atyre forcë, besim dhe qetësi. Të tjerë thonë se tani janë në gjendje të gjejnë zgjidhje për sfidat e vështira, ku më parë ndiheshin të pafuqishëm, duke pritur që dikush tjetër të gjente përgjigje”- shprehet Lindholm.

Ndërsa disa drejtues biznesi, mund të jenë më të natyrshëm të prirur drejt vetë-reflektimit dhe fokusimit, këto janë kompetenca që mund të mësohen, thotë Tore Hillestad, drejtor i edukimit të drejtuesve ekzekutivë në Shkollën Norvegjeze të Ekonomisë NHH, e cila punon me konsulencën e zhvillimit të udhëheqjes dhe organizatës AFF.

“Ne e integrojmë në mënyrë të përsëritur dhe sistematike në sjelljet e përditshme atë që mësohet në program. Nëse mësohet mirë, nuk është më e lehtë sesa zhvillimi i aftësive të vështira si njohja me një mjet ose softuer të ri”- nënvizon ai.

Në Bangkok, Phra Anil sugjeron zakonin e tij të thjeshtë për të qenë tërësisht i ndërgjegjshëm për atë që bën. “Provoni të mbyllni sytë, të izoloni veten nga e shkuara dhe e ardhmja dhe të jetoni në të tashmen. Fokusohuni tek vetja juaj dhe injorojeni impulsin për të kontrolluar mediat sociale dhe për të parë jetën e të tjerëve. Mos harroni të shikoni jetën tuaj”- përfundon ai. / Financial Times – Bota.al