ShowBizzz

Vdes në një aksident me motor aktori i njohur, Treat Williams

Aktori i njohur Treat Williams, i cili në karrierën e tij gati 50-vjeçare luajti role të rëndësishme në filma të tillë të paharrueshëm si “Hair” dhe “Once a time in America” të Sergio Leones dhe luajti në serialin e njohur televiziv “Everwood”, vdiq në një aksident automobilistik në Vermont, në moshën 71-vjeçare.

Vdekja e aktorit u konfirmua për ‘People’ nga agjenti i tij Barry McPherson. “Jam i shkatërruar, ai ishte një njeri i mrekullueshëm,” tha ai. “Ai ishte i talentuar, një aktor i madh. Regjisorët e donin atë. Ai ka qenë zemra e Hollivudit që nga fundi i viteve ’70.”

Pak para orës 17.00, një automjet që po hynte në parking, u përplas me aktorin që ishte në motor, në qytetin e Dorset, sipas rikonstruksionit të policisë së Vermontit. “Williams nuk mundi të shmangte përplasjen dhe ka rënë nga motori i tij. Ai pësoi lëndime kritike dhe u transportua me helikopter në Qendrën Mjekësore Albany në Albany, Nju Jork, ku u shpall i vdekur.

Treat Williams u bë i njohur duke luajtur George Berger, në “Hair”, adaptimi filmik i Milos Forman i muzikalit në Broadway. Për këtë performancë ai mori një nominim për Golden Globe.

Williams ishte i mirënjohur në SHBA pasi kishte luajtur prej kohësh Dr. Andy Brown në serialin Everwood. “Siç mund ta imagjinoni, ne jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar në këtë moment. Treat e donte shumë familjen, jetën dhe profesionin e tij,” tha familja e aktorit.

Aktori James Woods, i dedikoi atij një postim në Twitter dhe kujton momentet gjatë xhirimeve Sergio Leone.

“Treat dhe unë kaluam muaj në Romë duke filmuar “Një herë në Amerikë”, ka shkruar në Twitter aktori James Woods. “Sensi i tij i humorit ishte një dhuratë nga perëndia. Unë e doja atë dhe jam i dëshpëruar që ai nuk jeton më”.

Me origjinë nga Connecticut, Williams bëri debutimin e tij në filmin artistik në 1975 si oficer policie në neo-noir “Carrel Trooper” dhe vazhdoi të shfaqej në më shumë se 120 role filmike dhe televizive duke përfshirë filmat “Nata e Shqiponjës” nga John Sturges dhe “Princi i qytetit” i Sidney Lumet.

Në karrierën e tij ai luajti edhe rolin e Lenny Ross në serialin televiziv “Blue Bloods” ndërsa në Broadway mbahet mend për pjesëmarrjen e tij në shfaqje si “Grease” dhe “Pirates of Penzance”. /abcnews.al