Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi të shtunë 2-0 me Moldavinë në ‘Air Albania’, ndeshje kjo e vlefshme për raundin e dytë kualifikues në grupin E të Euro 2024 që zhvillohet në Gjermani.
“Shqiponjat” nuk kanë pushuar gjatë, teksa paraditen e kësaj të diele kanë udhëtuar drejt Ishujve Faroe, aty ku të martë në 20:45 luhet përballja e tretë për grupin E. Me një udhëtim të gjatë dhe të lodhshëm, kuqezinjve iu janë dashur afro gjashtë orë rrugë për në kryeqytetin Torshavn.
Përpara rrugës për në ishull, ekipi bëri një ndalesë tranzit në kryeqytetin norvegjez, Oslo. Stafi i Kombëtares ishte në destinacion rreth orës 17:00 me atë lokale dhe 18:00 me atë shqiptare.
Menjëherë pas akomodimit në hotel, trajneri Sylvinho ka nxjerrë të tijtë në një stërvitje të lehtë në aneksin e stadiumit ku do luhet ndeshja e së martës. Në një impiant me afro 6.500 vende, tanët kërkojnë tri pikët për ëndrrën Euro. Moti në Torshavn është i lagësht, me temperaturat maksimale që pritet të jenë 11 gradë Celsius.
Simon Simoni dhe Adrian Bajrami nuk kanë udhëtuar me skuadrën. Portieri i është bashkuar Shqipërisë U-21 për miqësoren me Bullgarinë.