Salman Rushdie, 76 vjeç, i cili u plagos rëndë verën e kaluar në një sulm, do ta marrë Çmimin e Paqes të Shoqatës Gjermane të Botuesve dhe Librashitësve 2023 në vjeshtë në Paulskirche në Frankfurt, siç njoftoi bordi i fondacionit të hënën në mëngjes (19.06.2023) në Frankfurt am Main. Homazhi solemn, duke përfshirë edhe dhënien e çmimit të shoqëruar me 25.000 euro, zhvillohet tradicionalisht në përfundim të Panairit të Librit në Frankfurt (18-22.10.2023). Çmimi prestigjioz i Paqes jepet nga Shoqata Gjermane e Botuesve dhe Librashitësve (Börsenverein des Deutschen Buchhandels), organizata tregtare e shtëpive botuese dhe librarive. Çmimi është një homazh për personalitetet që kanë kontribuar në realizimin e idesë së paqes në letërsi, shkencë apo art.
Për gati një dekadë, Salman Rushdie jetoi i fshehur, sepse në Iran në vitin 1989 jatollah Khomeini kishte bërë thirrje me një fetva për vrasjen e autorit, në reagim ndaj romanit të tij “Vargjet Satanike” të botuar në vitin 1988. Deri sot, Rushdie jeton vazhdimisht në rrezik: pak para botimit të romanit të tij të fundit “Qyteti i Fitores” në gusht 2022, Rushdie u plagos rëndë në Shtetet e Bashkuara nga një sulm me thikë gjatë një leximi letrar. Që atëherë, sipas agjentit të tij, ai ka humbur shikimin në një sy dhe nuk mund të lëvizë më njërën dorë. Shkrimtari më pas përfitoi nga një valë solidariteti. Irani, nga ana tjetër, fajësoi vetë shkrimtarin dhe mbështetësit e tij për sulmin.