LifeStyle

Pesë vende në kuzhinë që i neglizhoni, por duhen pastruar çdo ditë

Kuzhina është pjesa e shtëpisë që ne përdorim çdo ditë. Duke qenë se lidhet me gatimin, me gjërat që hamë, duhet të jemi mjaft të përpiktë me pastrimin e saj. Megjithatë, për shkak se koha jonë është e çmuar, nuk kemi nevojë të përqendrohemi çdo ditë në kuzhinë. Mjafton të përcaktojmë pesë zona të saj që duhet të dezinfektojmë çdo ditë.

Dera dhe dorezat e frigoriferit

Nëse ka një pajisje që shumica prej nesh e përdorim disa herë në ditë, ai është frigoriferi, pa i kushtuar gjithmonë rëndësi se sa të pastra i kemi duart kur e hapim. Ndaj është mirë që çdo ditë të pastroni derën dhe dorezat e frigoriferit. Për sa i përket brendësisë së saj, mund ta bëni një herë në javë, por jo më rrallë.

Dorezat e bufesë

Dorezat e bufesë kanë nevojë për pastrim më të rregullt për të shmangur përhapjen e mikrobeve në të gjithë kuzhinën. Pavarësisht nëse përdorni peceta dezinfektuese ose një sprej anti-mikrobik, sigurohuni që të pastroni tërësisht pjesën e përparme dhe të pasme të dorezave të bufesë dhe të sirtarëve.

Dera e mikrovalës

Një tjetër pajisje plot mikrobe. Nëse e përdorni çdo ditë, atëherë është mirë të fshini gjithmonë dorezën e derës, si dhe butonat, të cilët shtypen vazhdimisht nga duart e familjarëve, të cilët nuk janë gjithmonë të pastër.

Çelësat e dritës

Çelësat e dritës në kuzhinën tuaj janë një mënyrë shumë e zakonshme për të përhapur mikrobet te njerëzit që i përdorin.

Doreza e rubinetit

Ju mendoni se lavamani juaj është i pastër sepse është vendi ku lani enët dhe duart tuaja – por nuk është ashtu. Zakonisht kapni dorezën e rubinetit përpara se të lani ndonjë gjë, që do të thotë se doreza mund të jetë plot me baktere dhe viruse.