Lajme

1 vit nga humbja e Vjosa Berishës, i biri bën postimin prekës: Asgjë nuk e zbut dhimbjen e mallin

Ndonëse kanë kaluar ditë dhe muaj, dhimbja për ikjen e parakohshme të producentes së njohur shqiptare, Vjosa Berisha, nuk po kalon.

Sot bëhet plot 1 vit, ku Vjosa Berisha mbylli sytë përgjithmonë dhe u nda nga kjo jetë. Në këtë ditë nuk ka munguar, as postimi prekës i djalit të saj, Lekë Berisha, i cili e ka përkujtuar i përmalluar të ëmën e ndjerë.

“1 vit pa ty. S’ka kurgjo që e zbutë dhimbjen e mallin. Mos qoftë jeta qaq e padrejtë mos me na lonë me u taku prap. Të dua ma shumë se gjithçka Otë”, shkruan i biri.

Vjosa Berisha humbi jetën pas betejës së gjatë dhe të dhimbshme me sëmundjen e rëndë.

Por kush ishte Vjosa Berisha?

Vjosa Berisha ishte themeluese e festivalit PriFilmFest, edicioni i 14-të i të cilit është planifikuar për 26-30 korrik, ndërsa për t’i mbështetur filmbërësit e Ukrainës, ky edicion do të jetë nikoqir i edicionit të 13-të të Odesas.E diplomuar në master të Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Ëestminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe me një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë, Vjosa Berisha ka pasur përvojë mbi 20 vjet në industrinë e filmit.

Që nga viti 2013-të, Vjosa Berisha është gjithashtu anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit.

Gjithashtu ajo ishte producente e dy filmave artistikë, “Cirku Fluturues” (2019) me skenaristin dhe regjisorin Fatos Berisha dhe bashkëprodhoi filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” (2019) me regjisorin Borjan Zafirovski.

Ajo ka punuar në shumë projekte për marrëdhënie me publikun dhe media, duke udhëhequr shumë fushata të suksesshme komerciale, politike dhe ndërgjegjësuese.

Një nga projektet e shquara të udhëhequra nga ajo ishte menaxhimi dhe zbatimi i fushatave gjatë procesit që çoi në Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, i cili përfshinte një sërë fushatash ndërgjegjësuese.

Vjosa ishte një pikë frymëzimi për të gjithë ata persona që vuajnë nga kanceri, duke dhënë shpesh herë mesazhe motivues për të gjitha gratë dhe bashkëshortët e tyre që përballen me këtë sëmundje.

Me ndarjen e saj nga jeta, skena artistike e Kosovës humbi një nga figurat e saj më të shquara ne dy dekadat e fundit.