Lajme

NATO kryen stërvitje me skenar apokaliptik në qiell

Forcat e NATO përmbyllën këtë të premte stërvitjen me dislokimin më të madh të forcave ajrore të dislokuar ndonjëherë në Europë në shenjë të tregimit të forcës ndaj kërcënimeve të mundshme nga vende si Rusia.

Manovrat e “Air Defender 2023” të drejtuar nga Gjermania dhe të cilat u zhvilluan në atë vend, në Republikën Çeke dhe Holandë, mblodhën bashkë rreth 250 avionë ushtarakë nga 25 vende anëtare të NATO-s dhe partnere, përshirë Japoninë por edhe Suedinë, e cila ka kërkuar të anëtarësohet në aleancë.

“Air Defender” u konceptua në 2018 si kundërpërgjigje ndaj aneksimit rus të Krimesë në 2014-ën, megjithëse kreu i forcës ajrore gjermane, Ingo Gerhartz ka këmbëngulur se kjo stërvitje nuk shënjestronte ndokënd.

Por ambasadorja amerikane në gjermani, Amy Gutmann, tha se “Air Deffender” tregon aftësinë dhe shpejtësinë e përgjigjes së forcave aleate dhe synonte dërgimin e një mesazhi vendeve të tilla si Rusia.

“Do të isha shumë e habitur nëse ndonjë udhëheqës botëror nuk mban shënim se çfarë tregon kjo stërvitje në lidhje me shpirtin e aleancës dhe forcën e saj, dhe këtu përfshihet edhe zoti Putin”, u shpreh ajo për gazetarët, duke iu referuar presidentit rus.