Shëndetësi

Receta tradicionale e byrekut te veres, pergatitet lehte dhe shpejt

Kjo recetë u përgatut nga Erida’s Kitchen

Kjo është një nga ato receta që përgatiten në çdo kohë, por në verë shijon me tepër ndaj Erida e ka përgatitur për veten dhe për ju.

Nëse nuk dini çfarë të përgatisni sot, ikni blini ingredientët dhe provojeni që sot.

PËRBËRËSIT PËR BRUMIN: 700 g miell, 500 ml ujë ambienti dhe 1 lugë çaji kripë.

PËRBËRËSIT PËR MBUSHJEN: 2-3 qepë, 4-5 domate të mëdha dhe të pjekura mirë, kripë dhe vaj ulliri.

PËRGATITJA:Fillimisht përgatisim brumin. Unë e bëra ne mikser sepse të them të drejtën kursen shumë kohë dhe e bën shumë të mirë, por nëse s’e keni sigurisht e bëjmë si gjithmonë me dorë.

Brumi duhet të dalë i lidhur mirë dhe jo shumë i butë.

E lëmë të pushojë ndërkohë që përgatisim mbushjen. Në një tigan skuqim me vaj ulliri qepën e grirë jo shumë imët, i hedhim kripë, dhe më pas shtojmë domatet e qëruara dhe të grira. I kaurdisim bashkë për disa minuta derisa domatet zbuten mirë.

Më pas fillojme me petët. Brumin e ndajmë në 16-18 kuleçë të vegjël . I hapim me pec sa pëllëmba e dorës dhe i lyejmë me vaj sipër njëri-tjetrit dhe hapim në fund dy peta të mëdha.

Hapim petën e parë dhe e vendosim në tavën e lyer me vaj, hedhim sipër gjelylen dhe petën tjetër ia vendosim sipër. E presim dhe sipër i hedhim vaj ulliri ose ajkë qumështi. E pjekim në furrë në 220-230 gradë për 30-40 minuta. Ju bëftë mirë!