U deshën dy ekspertë gjarpërinjsh për të luftuar me një piton gjashtë metra të gjetur në një park kombëtar në Florida – gjarpri më i madh i këtij lloji të gjetur ndonjëherë në këtë shtet.
Videoja e postuar në rrjetet sociale nga gjuetarët e gjarpërinjve Steven Gauta dhe Jake Valeri tregon betejën e tyre me pitonin 56 kg, i cili është i gjatë sa një gjirafë e rritur.
Fillimisht gjarpri sulmoi Valerin të cilit iu desh të luftonte për ta ndaluar.
Dy gjuetarët e dorëzuan më pas gjarprin në një qendër speciale për mbrojtjen e kafshëve të egra.
Një biolog nga kjo qendër vuri në dukje se ka indikacione se gjarpërinjtë e kësaj specie të veçantë – pitonët burmezë – po rriten në madhësi.
Pitonët burmezë gjenden në zonat e Azisë Juglindore dhe mendohet se kanë pushtuar Floridan. Këta gjarpërinj preferojnë zona me lagështi të shtuar ose lumenj.