Kuriozitete

Hakerimi i GTA 6 dhe disa kompanive të tjera, i akuzuar është një adoleshent shqiptar

Adoleshenti i akuzuar për hakerimin dhe më pas shantazhimin e një sërë kompanish, duke përfshirë Uber, Nvidia dhe zhvilluesin e GTA 6 Rockstar, është një 18-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Arion Kurtaj.

Mediat e huaja bëjnë me dije se ai ishte pjesë e grupit të hakerave Lapsus$, kur publikuan pamjet e video-lojës që është ende në prodhim e sipër, Grand Theft Auto 6.

Shqiptari është duke u gjykuar për 12 vepra penale, përfshirë tre akuza për shantazh, dy akuza për mashtrim dhe gjashtë akuza sipas ligjit të keqpërdorimit kompjuterik.

Sipas agjencisë mediatike Reuters, i riu shqiptar i është nënshtruar ekzaminimeve nga psikiatrit, dhe sipas tyre është i papërshtatshëm për t’u gjykuar. Ndaj një juri do të vendosë vetëm nëse është ai që i ka kryer krimet, dhe jo nëse është apo jo fajtor.

Përveç GTA 6, Kurtaj akuzohet se ka hakuar kompanitë Uber dhe Nvidia, si dhe i ka kërcënuar ata se do të publikojë kodet source në internet.

Hakerimi i Grand Theft Auto 6, ndodhi shtatorin e kaluar, duke rrjedhur mbi 90 pamje nga ekrani dhe video.