Shëndetësi

Trajtimi i djersitjes së tepërt

Hiperhidroza është sekretim i djersës në sasi më të mëdha se sa organizmi ka nevojë të freskohet. Më së shpeshti është prezente në shuplaka të duarve, shputa, në nënsqetull. Andaj, kjo dukuri për shumicën e personave gjatë aktivitetit të përditshëm shkakton shqetësime serioze dhe pakënaqësi

Edhe pse ekzistojnë variacione në djersitje tek personat, shumica e tyre djersiten gjatë aktiviteteve fizike, stresit, shqetësimeve, apo qëndrimit në vende shumë të ngrohta. Rritja e djersitjes në hiperhidrozë është shumë më e madhe dhe e tejkalon djersitjen normale.

Simptomat e djersitjes së tepërt

Simptomat e djersitjes së tepërt mund të ndryshojnë nga një njeri te tjetri. Djersitja është e shpeshtë, e dukshme dhe shqetësuese në shputa, nën sqetulla, në kokë, fytyrë, si dhe pika të djersës në shuplaka dhe shputa.

Shkaktarët

Shkaku i hiperhidrozës qëndron në rregullimin e temperaturës trupore. Trupi ka dy lloj të gjëndrave të djersës. Gjëndrat ekrine të cilat gjenden në tërë trupin dhe hapen direkt në sipërfaqe të lëkurës dhe gjëndrat djersore apokrine me qime të shpeshta siç është pjesa e pasme e kokës nën sqetulla dhe në ije.

Kur të rritet temperatura trupore, sistemi nervor autonom stimulon këto gjëndra për të prodhuar lëngje dhe t’i tajojë në sipërfaqe të lëkurës dhe ka për detyrë ta ftohte trupin duke u avulluar. Ky lëng (djerse) përbëhet më së shumti nga uji, kripa, urea dhe elektroliti.

Hiperhidroza fokale është e lokalizuar më së shpeshti në shuplakë të dorës, shputa të këmbës dhe nënsqetulla me shkaktarë të panjohur. Më së shpeshti është e predisponuar gjenetikisht dhe lajmërohet kryesisht para moshës 20 vjeçare. Ndërpritet gjatë gjumit.

Hiperhidroza e gjeneralizuar përfshinë sipërfaqe të mëdha të trupit. Në qoftë se lajmërohet papritur, shpesh është e lidhur me marrjen e ndonjë medikamenti apo ndonjë sëmundje tjetër apo gjendje, siç është menopauza, niveli i ulët i sheqerit, hipertireoza, leukemia, limfoma, problemet me zemër apo infeksioni.

Komplikimet te djersitja e tepërt

Komplikimet të cilat janë lajmëruar pas djersitjes së tepruar mund të paraqiten në formë infeksioni bakterial apo mykotik si dhe ndryshime lëkurore si pasojë e mbylljes së poreve të lëkurës në afërsi të gjëndrave të djersës.