E lodhur nga presioni për të pasur sukses si fotografe, Litsky Li pranoi një ofertë më të mirë: të linte punën për t’u bërë një nga shumë fëmijë në Kinë që pahuhen nga familjet e tyre për të qëndruar në shtëpi.
Li, 21 vjeç, tani i kalon ditët duke blerë ushqime për familjen e saj dhe duke u kujdesur për gjyshen, e cila vuan nga demenca. Prindërit e saj i japin një pagë prej 6,000 juanë (835 dollarë) në muaj, e cila konsiderohet një pagë e klasës së mesme në zonën e saj.
“Arsyeja pse jam në shtëpi është sepse nuk mund ta duroj presionin e të shkuarit në shkollë apo në punë”, tha Li për CNN. “Nuk dua të konkurroj intensivisht me bashkëmoshatarët e mi. Kështu që unë zgjedh të jem e qetë plotësisht”, tha ajo, duke përdorur një frazë popullore që i referohet shmangies së orëve rraskapitëse të punës dhe vlerave tradicionale familjare në favor një jete më të thjeshtë.
Li nuk është vetëm në këtë trend. “Fëmijë me kohë të plotë” është tashmë një praktikë e përhapur në Kinë.
Shumica e dhjetëra mijëra të rinjve që identifikohen si të tillë në rrjetet sociale thonë se po kthehen në shtëpi sepse thjesht nuk mund të gjejnë punë. Shkalla e papunësisë për moshat 16 deri në 24 vjeç në zonat urbane arriti në 21.3% muajin e kaluar, një rekord i lartë.
Sociologët thonë se përvojat traumatike të Kinës me masat e rrepta të pandemisë kanë kontribuar që numri i të rinjve të rimendojnë qëllimet e jetës dhe prindërit po i mbështesin ata. Dëshira për të kaluar kohë cilësore me familjen, meditimi për kuptimin e jetës apo gjërat më të rëndësishme në jetë kanë kontribuar në zgjedhjen e këtij stili jetese.
Ya-wen Lei, një profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Harvardit, tha për CNN se mendon që fenomeni i fëmijëve full-time nuk do të zgjasë shumë gjatë.