Ndërsa një valë historike e të nxehtit ka përfshirë Evropën, duke lënë qindra të vdekur, qeveria britanike ka publikuar një studim holandez që tregon se gratë janë më të rrezikuara nga temperaturat ekstreme.
Konkretisht, ekspertët, pas studimit të shkallës së vdekshmërisë gjatë valëve të të nxehtit, dhe konkretisht nga një valë e nxehtë që kishte goditur Francën në vitin 2003, zbuluan se “ajo ishte 15% më e larta për grate.”
Sidomos kur flasim për femra të moshuara.
Një studim tjetër, sipas “Guardian”, nga studiues holandezë dhe gjermanë, konfirmoi se gratë janë më të rrezikuara nga vdekja, veçanërisht ato që janë mbi 80 vjeç.
Por pse
Profesor Hein Daanen, i Universitetit të Lirë (VU) në Amsterdam, ia atribuon këtë faktit që gratë djersitin më pak dhe dihet se djersitja është një mekanizëm për të mbrojtur trupin nga temperaturat e larta.
“Përqindja e djersës së prodhuar nga të moshuarit, është sa gjysma e të rinjve. Dhe përqindja e djersës që prodhojnë femrat është sa gjysma e asaj të meshkujve”, komenton eksperti.
Prandaj, sipas këtyre të dhënave, gratë e moshuara kanë mekanizmin më të dobët të mbrojtjes nga nxehtësia.
Një tjetër faktor që në rastin e vapës i bën femrat realisht “gjininë më të dobët” duket se është fakti se sistemi i kardio- frymëmarrjes sforcohet më shumë nga temperaturat e larta në trupin e femrës sesa të mashkullit.
As femrat e reja nuk janë imune, pasi djersitin më pak se bashkëmoshatarët e tyre meshkuj.
Rreziku i pasojave të rënda për shëndetin e tyre rritet, në fakt, pas ovulacionit, kur temperatura e trupit të tyre rritet pak.