LifeStyle

Hulumtimi i ri ka treguar sa hapa preferohet të ecni në ditë

Prej kohësh besohet se 10.000 hapa në ditë është “numri magjik” i nevojshëm për të qëndruar të shëndetshëm dhe në formë, por hulumtimet e reja tregojnë se mjafton shumë më pak.

Një analizë e më shumë se 226.000 njerëzve në mbarë botën, zbuloi se 4.000 hapa në ditë janë të mjaftueshëm për të reduktuar rrezikun e vdekjes së hershme. Pak më shumë se 2.300 hapa do të jenë të dobishëm për zemrën dhe enët e gjakut dhe sa më shumë hapa të bëni, aq më të mëdha janë efektet pozitive.

Çdo 1.000 hapa shtesë mbi 4.000 zvogëlon rrezikun e vdekjes së hershme me 15 për qind deri në 20.000 hapa.

Një ekip nga Universiteti Mjekësor i Lodzit në Poloni dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit John Hopkins në SHBA, zbuloi se nga ecja përfitojnë të gjitha gjinitë dhe të gjitha grupmoshat, pavarësisht se ku jetojnë, megjithatë, ecja është më efektive për ata nën moshën 60 vjeçare.

Profesori Maciej Banach nga Polonia tha se megjithëse numri i barnave të avancuara për trajtim po rritet, ato nuk janë e vetmja përgjigje.

“Besoj se duhet të theksojmë gjithmonë se ndryshimet në stilin e jetës, duke përfshirë dietën dhe stërvitjen, që janë heronjtë kryesorë të analizës sonë, mund të jenë po aq ose edhe më efektive në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare dhe zgjatjen e jetës”, është shprehur ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaron se aktiviteti i pamjaftueshëm fizik është përgjegjës për vdekjen e 3.2 milionë njerëzve çdo vit dhe është shkaku i katërt kryesor i vdekjeve në botë.

Honey Fine, një trajnere personale dhe instruktore e fintesit, veçoi problemet që lindin për shkak të qëndrimit ulur për një kohë të gjatë.

“Qëndrimi ulur mund ta ngadalësojë metabolizmin tuaj dhe të ndikojë në rritjen dhe forcën e muskujve, gjë që mund të çojë në dhimbje. Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë mund të shkaktojë gjithashtu probleme me shpinën, që është një problem i zakonshëm për njerëzit që punojnë në zyra. Shpinat e tyre janë vazhdimisht nën stres dhe presion, gjë që çon në shumë probleme më vonë gjatë jetës”, ka thënë ajo.

Ecja ul presionin e gjakut, forcon muskujt që mbrojnë kockat dhe rrit nivelin e energjisë dhe gjithashtu ndihmon në ruajtjen e peshës trupore me një dietë të shëndetshme. Gjithashtu, ka një efekt pozitiv në shëndetin mendor.

Për ata që punojnë në zyra, këshillohet të ngrihen dhe të ecin pak minuta pas çdo ore. Ecja është ushtrimi më i mirë për gratë shtatzëna. Rekomandohet të ecni për 30 minuta çdo ditë.