Lajme

Papa Françesku: ta dëgjojmë britmën e atyre që bien në skllavërinë e drogës

“Fenomeni i shpërdorimit të drogës dhe substancave psikotrope vijon të ngjallë shqetësim dhe alarm, veçanërisht për shkak të rritjes së konsumit nga adoleshentët dhe të rinjtë e, si rrjedhojë, edhe rritjes së shitjeve të drogës në “sheshet dixhitale”, në rrjetet e errëta ueb-it”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve në Kongresin e 60-të Ndërkombëtar të Toksikologëve Forenzikë, që nisi dje, në Romë, dhe do të vazhdojë deri më 31 gusht.

“Adoleshenca dhe rinia, siç e dimë, janë faza veçanërisht delikate në jetën e çdo personi, të karakterizuara nga ndryshime të konsiderueshme në nivel fizik, emocional dhe social” – vërejti Papa.

Kësaj i shtohet edhe fakti që shoqëritë tona aktuale janë të brishta në shumë aspekte dhe të karakterizuara nga pasiguria. Më pas njeriu mund të tërhiqet në kërkimin e ethshëm të përvojave të reja, thjesht për t’u matur me të renë, për të realizuar dëshirën e njohjes të së të panjohurës, por edhe për të zhdukur ndjenjën e frikës së përjashtimit nga shoqëria e bashkëmoshatarëve. Këta janë – nënvizon Ati i Shenjtë – “faktorë shumë të dëmshëm, të cilët mund t’i çojnë të rinjtë drejt zgjedhjeve dhe sjelljeve të rrezikshme, si përdorimi i substancave psikoaktive dhe shpërdorimi i alkoolit, ose rastet e paraqitjes në situata ekstreme, virtuale dhe reale”.

Për Françeskun, “e gjithë kjo përfaqëson terren pjellor për përdorimin e substancave toksike”.

Ndërmjet tyre, substancat e reja psikoaktive (NPS) përfaqësojnë një problem serioz dhe kompleks në peizazhin aktual të vartësive, me një treg në zgjerim të shpejtë, efekte toksikologjike të pasigurta dhe pasoja të rënda për shëndetin publik. Lehtësia e modifikimit kimik të këtyre substancave, më pas, i krijon krimit të organizuar kushtet të shmangë kontrollet ligjore, duke e bërë më të vështirë identifikimin e përbërjeve të paligjshme. “Shumë adoleshentë abuzojnë me NPS, pa i ditur rreziqet. Prandaj, është tejet i rëndësishëm zhvillimi i teknikave të analizës, si dhe ndërhyrjeve parandaluese, që synojnë të ndalojnë përhapjen e tij dhe të inkurajojnë plane të përshtatshme terapeutike”, nënvizon Papa.