Nënvlerësimi është një taktikë e njohur manipulimi nga abuzuesit emocionalë. Ata vënë në pikëpyetje gjithçka tuajën, nga ndjenjat, kujtimet, gjykimin, realitetin, etj. Për viktimat është e vështirë që të kuptojnë se çfarë po ndodh.
“Njerëzit që nuk mund të argumentojnë situatat apo ngjarjet e ndryshme, përdorin taktika për t’ju konfuzuar”, thotë terapisti Shannon Thomas për HuffPost.
Terapistët zbulojnë disa nga frazat e zakonshme që përdorin njerëzit manipulues. Si t’i dalloni dhe të përballeni me to:
1. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë”
Njerëzit manipulues do thonë gjithnjë diçka abuzive dhe më pas do të mohojnë se ka ndodhur duke “mbjellë” farat e dyshimit te ju.
2. “Je shumë e ndjeshme”
Ai ju bëri vërejtje në sy të familjarëve apo miqve dhe ju u ndjetë keq? Ai do të thotë se ishte thjesht një “shaka”. “Sapo një partner abuziv thyen aftësinë e viktimës për t’i besuar perceptimeve të veta, viktima ka gjasa të durojë sjelljen abuzive dhe të qëndrojë në marrëdhënie”, tha terapistja Beverly Engel.
3. “Ti je e çmendur dhe të tjerët mendojnë po kështu”
Me kalimin e kohës, gënjeshtrat dhe shtrembërimet e realitetit e bëjnë viktimën të vërë në dyshim mendimet e veta. Personi abuziv e përdor këtë në avantazhin e tij. Një abuzues përpiqet të bindë miqtë dhe familjen tuaj se ju jeni mendërisht të paqëndrueshëm në mënyrë që t’ju ulë dhe të krijojë distancë midis jush dhe familjarëve tuaj.
4. “Ti ke një kujtesë të tmerrshme”
“Të gjithë kemi momente që harrojmë detaje apo situata të caktuara”, tha Thomas. “Kjo është normale. Një abuzues emocional do të fokusohet në vënien e viktimës në dyshim për kujtesën e çdo situate që të kenë kontroll të plotë mbi ta”.
5. “Më vjen keq që mendon se të kam lënduar”
“Në pamje të parë, kjo mund të duket si një falje, por nuk është ashtu. Përkundrazi, është një mënyrë që abuzuesi të shmangë përgjegjësinë për çdo dhimbje që ka shkaktuar dhe në vend të kësaj t’ju fajësojë për keqinterpretimin e situatës”, tha psikologia klinike B. Nilaja Green.
6. “Duhet ta dije se si do të reagoja”
Ky është një rast tjetër i manipuluesve që përpiqen të zhvendosin përgjegjësitë nga vetja te viktima. Në vend që të jenë të përgjegjshëm për sjelljen e tyre, ata do t’jua vënë fajin juve. “Shtrembërimi i fakteve është taktikë e njerëzve abuziv në mënyrë që ata të shmangin përgjegjësitë personale nga çdo situatë”, tha Thomas.