Nuk mund ta injorojmë faktin që prindërit tanë po plaken…Bisedat për vitet që ikin dhe moshën e tretë, e bashkë me to dhe problemet e shumta që mblidhen në fund nuk janë gjithmonë të lehta. Kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj prindërve, një zonjë brenda shtëpisë, alternimi i kujdesit me motrat dhe vëllezërit e tjerë, një ndihmë shëndetësore më e specializuar kur është nevoja, ka shumë biseda që vjen një moment në jetë që duhen diskutuar hapur mes fëmijës dhe prindit të moshuar.
Ne më të rinjve, na del detyrë që të ndërveprojmë pozitivisht me prindërit. Por, ka një pikë që duhet ta mendojmë: të respektojmë autonominë e prindërve, duke bërë atë që është më e mirë për ta. Të folurit për plakjen u kujton të moshuarve se ndoshta “vdekja është pas derës”, ndërsa prindërit duan gjithnjë e më shumë t’i ikin asaj.
Kujdesi për prindërit është i vështirë dhe ne duhet të jemi të përgatitur. Mosha e tretë është e pashmangshme, por ka shumë fëmijë që “fusin kokën në rërë” kur vjen puna tek ndarja e detyrave dhe përgjegjësive për prindërit në mënyrë që gjithçka të funksionojë si duhet deri në fund.
Si ta bëjmë bisedën me prindërit më pak të vështirë: flisni më pak, dëgjoni më shumë
Diskutimet e hapura dhe të sinqerta me prindërit përpara një periudhe krize zvogëlojnë stresin dhe pasigurinë. Hulumtimet kanë treguar se planifikimi për moshën e tretë redukton konfliktin brenda familjes dhe lehtëson presionin për veprimet e mëtejshme.
Së pari, planifikimi për nevojat e pleqërisë nuk duhet t’i ngjajë një darke të vështirë familjare. Bisedat e shpeshta dhe joformale për tema si emocionet, dëshirat, financat dhe pritshmëritë janë të rëndësishme dhe duhen trajtuar me kuriozitet.
Bisedat duhet të jenë seanca dëgjimore, jo-gjykuese. Ku dëshiron të plakesh? Në shtëpi? Në shtëpinë e fëmijës më të madh? Ke nevojë për ndihmë? Do një zonjë në shtëpi që të kujdeset për ty? Pyetje të tilla e bëjnë më të çlirët bisedën mes prindit të moshuar dhe fëmijës.
Planifikimi i avancuar i kujdesit nuk do të thotë se është fundi i jetës, por në fakt është një formë fuqizimi. Kjo na lejon të nderojmë dhe respektojmë vlerat e prindërve tanë deri në fund të jetës së tyre.