Lajme

Papa Françesku mbërriti në Mongoli

Papa Françesku mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar Chinggis Khaan të Ulaanbaatarit, kryeqytet i Mongolisë, në orën 9.51 (me orën lokale). Udhëtimi i 43-të apostolik ndërkombëtar i papnisë së Bergoglios, me Moton “Të shpresojmë së bashku” nisi sot, 1 shtator, për të vijuar deri më 4 shtator.

Është vizita e parë e një Pape në këtë tokë të Azisë Qendrore, siç u kujtua shpesh ditëve të fundit dhe siç u përsërit nga radiot dhe televizionet lokale të Mongolisë, të cilat nënvizojnë natyrën “historike” të vizitës së Papës.

Një mirëseardhje e thjeshtë, por e përzemërt

Informacioni i mediave me të dhëna të vazhdueshme, po e shton gjithnjë më shumë kureshtjen e pjesës jo-katolike të popullsisë së Mongolisë, pra shumicës, kryesisht budiste tibetiane, për ardhjen e një “personaliteti” me famë universale, siç është Papa Françesku.

Në rrugët e qytetit Ulaanbaatar vështirë të gjesh pankarta, si në çdo udhëtim tjetër ndërkombëtar të Papës, e lëre më turma njerëzish.

Është, pra, një pritje e thjeshtë, kjo që iu rezervua Papës, por e ndjerë thellë, me një ndjenjë mirënjohjeje veçanërisht nga ana e “grigjës së vogël” katolike të Mongolisë: “Pritje, si ajo që i bëhet një të afërmi të shtrenjtë, që e dini se po vjen plot dashuri të vizitojë shtëpinë tuaj”, thonë disa Motra rregulltare Misionare të Zojës së Ngushëllimit.

Edhe në Aeroportin Ndërkombëtar Chinggis Khan të Ulaanbaatar, pas mbërritjes së Papës mbretëronin heshtja e respekti. Çka vetë Papa na ftoi ta reflektojmë gjatë fluturimit nga Roma, me fjalët, që thotë se i vlerësoi shumë, të Kardinalit të ri Giorgio Marengo, prefekt apostolik i Ulaanbaatar, në rreshtin e parë të kordonit të mirëseardhjes në aeroport.

Në Aeroportin Ndërkombëtar Chinggis Khan,Ministrja e Jashtme e Mongolisë Batmunkh Battsetseg i uroi mirëseardhjen Papës. Pas Gardës së Nderit dhe përshëndetjeve të delegacioneve, ministrja dhe Papa, me dy makina të veçanta, kaluan në sallonin e VIP-ave për një bisedë të shkurtër. Në përfundim të përshëndetjes, Françesku transferohet në Nunciaturën Apostolike të Ulan Bator. Programi për sot nuk përfshin angazhime tjera.

Ceremonia zyrtare e pritjes së Papës në Mongoli do të bëhet nesër në mëngjes, më 2 shtator, në sheshin Sukhbaatar, ku gjendet Pallati i Shtetit dhe ku do të mbahet takimi me autoritetet civile, të Mongolisë, ky do të jetë edhe takimi i parë i udhëtimit të Papa Françeskut. Ati i Shenjtë Françesku do të takojë jo vetëm 1500 katolikët e Mongolisë, por gjithë atë popull “të fisëm” dhe “të mençur” me traditën e vet të madhe budiste.