Asambleja Politike e Partive Popullore Europiane, miratoi këtë të martë një rezolutë të paraqitur nga partia greke Demokracia e Re ku kërkohet nga autoritetet shqiptare lejimi i betimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit.
Rezoluta kujton amendamentin e Raportit të vitit 2022 për Shqipërinë në lidhje me arrestimin nga autoritetet shqiptare të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, amendament i cili u votua me shumicë votash në muajin korrik në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Gjatë asaj seance eurodeputetët shprehën shqetësimin e tyre lidhur me arrestimin e Belerit nga autoritetet shqiptare në prag të zgjedhjeve vendore të majit dhe kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm.
– Advertisement –
Gjithashtu në amandament theksohej se autoritetet shqiptare kanë shkelur prezumimin e pafajësisë dhe kanë penguar kryebashkiakun e zgjedhur të marrë detyrën.
Në rezolutën e sotme dënohen veprimet e qeverisë shqiptare ndaj minoritarit grek, kryebashkiakut të zgjedhur, si dhe “ndërhyrja e drejtpërdrejtë” në procesin zgjedhor, e cila është “kundër vlerave europiane”. Në rezolutën e PPE theksohet se “asnjë vend që tenton të bëhet anëtare e BE-së nuk mundet të veprojë në këtë mënyrë”.
Në të njëjtën kohë, shtohet se “mospërfillja flagrante e qeverisë shqiptare për shtetin e së drejtës, të drejtat themelore, të drejtat e minoritetit grek dhe mbi të gjitha acquis europiane krijon një vakum politik midis Shqipërisë dhe BE-së”.
Rezoluta përfundon duke u kërkuar autoriteteve shqiptare të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve lokale të 14 majit, si dhe prezumimin e pafajësisë, si dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe administrative ose të tjera, për të siguruar betimin e Fredi Belerit, e cila siç nënvizohet nuk ka asnjë lidhje me procedimin e drejtësisë.