Lajme

Shefi i Shtabit Kingji takim me përfaqësuesin më të lartë të nënoficerëve nga Komanda Amerikane për Evropën dhe Afrikën (USAREUR-AF)

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Arben Kingji, priti në një takim pune kryekapter Mark Morgan, përfaqësuesin më të lartë të nënoficerëve nga Komanda Amerikane për Evropën dhe Afrikën (USAREUR-AF) dhe atasheun amerikan CDR Eric Cote.

Tema e diskutimit ishte mbi zhvillimin e Konferencës së Nënoficerëve të Ushtrive Evropiane, që pritet të mbahet në vitin 2024 në Shqipëri, në drejtimin e USAREUR-AF. Në këtë aktivitet të rëndësishëm do të diskutohen zhvillimet e reja në interes të trupës së nënoficerëve, në shkëmbimin e ideve, njohurive, eksperiencës, si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të forta mes vendeve pjesëmarrëse në këtë konferencë.

Gjeneralmajor Kingji shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm me Komandën Amerikane për Evropën dhe Afrikën, si dhe vlerësoi profesionalizmin dhe performancën e secilit ekip instruktor e trajnues, përgjatë zhvillimit të stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta me qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë së forcave tona.

Një ndër prioritetet e Forcave të Armatosura të RSH është zhvillimi, promovimi dhe fuqizimi i nënoficerëve në të gjitha formacionet ushtarake, me fokus të veçantë tek nënoficerët e rinj (komandant grupi dhe skuadre).

Që nga qershori i vitit 2022 është miratuar “Rregullorja e Nënoficerëve të FARSH”, bazuar në dokumentet dhe udhëzimet e NATO dhe ushtrisë amerikane për zhvillimin e mëtejshëm të lidershipit dhe pozitave të kësaj trupe.