ShowBizzz

Iu gjetën vazo me kanabis në ballkon, lirohet Enca

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Detyrim paraqitje” për këngëtaren Ruenca Haxhiaj, e njohur ndryshe me emrin e artit Enca, e cila ishte arrestuar për mbjellje të bimëve narkotike.

Mbrojtja pretendoi se qëndrimi me masë më të rëndë, nuk është i nevojshëm pasi nuk përbën rrezik për t’iu shmangur hetimit.

Ata e konsideruan arrestimin të paligjshëm, pasi nuk ka patur urdhër-arresti nga gjykata por vetëm me iniciativë të Oficerëve të Policisë Gjyqësore. Mbrojtja deklaroi në seancë se mbjellja e bimës është bërë për kureshtje.

Enca u ndalua në banesën e saj, ku ishte në praninë e të dashurit të saj Neblett Khaiden Quasie, shkruan euronews.al

Duke qenë se banesa është në pronësi të këngëtares si dhe në bazë të deklaratave të saj se ishte ajo poseduesja e bimëve narkotike, policia ka bërë vetëm ndalimin e saj duke lënë të lirë të dashurin e huaj.

Në dëshminë e saj të parë në polici Enca ka deklaruar: “Jam përdoruese, kanabisin e kisha për përdorim vetjak”.

Bimët narkotike u gjetën në verandë të mbjella në 5 vazo të ndryshme.