Lajme

Gjykata e la të lirë, Prokuroria ankimon vendim e Apelit, kërkon rikthimin e Encës në qeli

Prokuroria e Tiranës kërkon që këngëtarja Ruenca Haxhija, e njohur me emrin e artit Enca të rikthehet në qeli.

Gjykata e Tiranës vendosi që Enca të lihej e lirë me masën “detyrim paraqitje” dhe pse prokuroria kërkoi që hetimet të vijonin. Ndaj Prokuroria ka ankimuar në Apel vendimin e shkallës së parë duke kërkuar që këngëtarja të kthehet në qeli.

Kujtojmë që Enca u arrestua më 12 shtator, pasi në ballkonin e banesës në zonën e Lundrës iu gjetën pesë vazo lulesh me kanabis. Në këto kushte, është bërë arrestimi në kushtet e flagrancës të këngëtares 27 vjeçare, kurse lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Këngëtarja deklaroi se ishte përdoruese dhe se e kishte mbjellë lëndën narkotike për përdorim vetjak. Nëse do të shpallet fajtore këngëtarja rrezikon 3 deri në 7 vite burg.

“Kultivimi i bimëve, që shërbejnë ose dihet se shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e lëndëve narkotike dhe psikotrope, pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Organizmi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet”, thuhet në kodin penal për veprën “Kultivim i bimëve narkotike”.