Lajme

Bejko: PD-ja e ka rigjetur ritmin, ne jemi në krah të SPAK-ut

efundit

Emisioni “Ekspres” i gazetarit Nolian Lole diskutoi të premten (22 shtator) për opozitën, qasjen e saj ndaj qytetarëve dhe pushtetit.

Roland Bejko, nënkryetari i Partisë Demokratike, ishte i ftuari i ditës.

Pas një momenti të vështirë që zgjati dy vjet, PD-ja duket se ka gjetur ritmin e saj dhe në skenën politike, ditët e fundit, është shfaqur si në planin organizativ, edhe duke artikuluar politikisht tezat e programit të saj. Që nga dorëheqja e z. [Lulzim] Basha në marsin e vitit të kaluar, PD-ja ka qenë si një shtëpi pa kryefamiljarin e vet. Tani mendojmë se ajo duhet të funksionojë si një familje, jo thjesht për demokratët, por edhe shqiptarët,” u shpreh Bejko.

Demokrati tha se debati i brendshëm mes demokratëve nuk ka prodhuar të mira, por e ka dobësuar opozitën. Kjo i dha mundësi kryeministri Edi Rama të merrte pushtetin lokal, u shpreh Bejko.

Sipas tij, politika shqiptare duhet t’i nënshtrohet vetingut siç ndodhi me sistemin e drejtësisë.

Ne si PD jemi tërësisht në mbështetje të reformës në drejtësi dhe të drejtësisë së re, me gjithë handikapin që mund të ketë sistemi dhe trupa e drejtësisë. Drejtësia ka qenë e instrumentalizuar politikisht nga të gjitha palët, edhe nga ne kur kemi qenë në pushtet dhe nuk ka rëndësi raporti më shumë apo më pak. Lufta ndaj korrupsionit nuk bëhet vetëm me retorikë politike, por bëhet drejtpërdrejt nga organet e drejtësisë, të hetimit, gjykimit dhe vendimmarrjes. Kështu që ne jemi në krah të SPAK-ut, në krah të drejtësisë,” tha Bejko.

Tjetër premtim që demokratët synojnë ta përmbushin është zgjedhja e presidentit nga populli.

Një nga premtimet që ka bërë PD-ja dhe Lulzim Basha ka qenë pikërisht kjo: prishja ose rishikimi i marrëveshjes që bëri Sali Berisha me Edi Ramën, sepse e ka deformuar demokracinë shqiptare, e ka monopolizuar politikën shqiptare, duke e kthyer në një sistem dypartiak, ku rotacioni politik e bën njëherë njëri, njëherë tjetri. Është një rotacion i negociuar me qëllim që kur të iki unë ti tjetri bëj sikur lufton për abuzimet e mia, por mos më bëj dëm. I duhet dhënë fund kësaj!” u shpreh Bejko, duke sqaruar nevojën për pluralizëm në vend.