Lajme

Rama deklaratë të çuditshme për ngjarjen në veriun e Kosovës, reagim i SHBA-BE

Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se “tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”.

Në një postim në rrjetete sociale kryeministri Rama shkroi se “komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”.

Vrasja e pjesëtarit të policisë ndodhi në një periudhë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë të cilat dështuan javën e kaluar të shënojnë ndonjë përparim në procesin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Reagimi i SHBA

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier në reagimin e tij përmes një komunikate tha se Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj policisë së Kosovës.

“Ne po e vëzhgojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Hovenier.

Ambasadori amerikan tha se policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. “Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reaguesi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë bashkërendimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe KFOR-it”, shkroi ai.

Reagimi i BE

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dënoi siç tha “me fjalët më të ashpra të të mundshme sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës”.

Në një komunikatë ai tha se “të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë. Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik nga armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”.Zoti Borrell tha se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. “BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës”, thuhet në komunikatë.