Lajme

Kukësi ‘karton të kuq’ Berishës, LITA: Po merr më qafë dhe Ilir Metën! Ka vënë bast me kalin e lodhur

efundit

Kukësi rrëzoi për herë të dytë koalicionin Berisha-Meta, ndonëse qytetarët e Kukësit u përballën me një skandal në zyrat e shtetit, nga ish kryebashkiaku Safet Gjici. Kjo ishte përmbledhja e asaj që lexoi analisti, Lavdrim Lita nga këto zgjedhje në Kukës, të cilat dhanë një rezultat me fitore të thellë të Partisë Socialiste me mbi 5 mijë vota.

I ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’, me gazetarin e Report Tv Nertil Agalliu, Lita u shpreh se kjo fitore e dytë e Partisë Socialiste duhet parë më shumë si dërrmimi i Berishës dhe Metës.

Qytetarët e Kukësit, nuk e patën opozitën si alternativë sepse mesazhi i tyre është shumë i qartë, po refuzojnë Berishën e Metën, thekson analisti.

“Kjo piruete për të bërë deputetët për të qenë në prehrin e Sali Berishës nuk është përtypur mirë nga demokratët apo qytetarët në Kukës dhe me thënë të drejtën më shumë se opozita e vërtetë qytetarët kanë preferuar pushtetin e vërtetë.

14 maji nuk ishte rastësi apo aksident politik. Me gjithë këto skandale apo ngjarje që kanë ndodhur, duhet ta kishin dëmtuar mazhorancën, por nuk është faji i qytetarëve. Po refuzohen Berisha e Meta.”- tha Lita.

Lita theksoi se më i humburi në fakt është Ilir Meta, i cili vetëm po fundoset nga Berisha. Sipas tij, Meta po investon shumë dhe ka marrë vetëm humbje në këmbim.

“Në 2015 PD e ka fituar Kukësin me 3 mijë vota më parë, në 2019 nuk mori pjesë në zgjedhje dhe është humbur më 14 maj dhe u rihumb sërish për herë të dytë. Projekti ‘BF’ nuk funksionon. Berisha po fundos edhe Ilir Metën, i është varur si gurë më qafë dhe po e fundos. Meta po investon shumë dhe po merr vetëm humbje. Ka vënë bast në kalin e lodhur.”- theksoi Lita.

I pyetur për retorikën e njëjtë të Berishës për vjedhjen e votave, Lita zgjodhi ta ironizojë.

“Ai libri i zgjedhjeve të bëhet film dhe në zgjedhjet e ardhshme të bëhet serial. Ai është humbësi i çdo palë zgjedhjeve dhe nuk mban përgjegjësi dhe drejton gishtin nga të tjerët.”- vijoi ai.