Lajme

Osmani propozon për Asociacionin: Kosova dhe SHBA të përgatisin draftin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirrje SHBA që të bashkëpunojnë me Kosovën për përgatitjen e draftit për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Osmani tha për RTK se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve e arritur më herë këtë vit, nuk është “perfekte” për Kosovën, por sipas saj është oblikim kombëtar.

Ajo tha se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10.  Sipas REL, Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmanxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup e tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, deklaroi Osmani.