Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dhënë një përgjigje propozimit të Ramës, i cili në një konferencë për mediat tha se KFOR-i duhet të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.
Duke folur për median boshnjake “Hayat TV”, tha se kudo në terriorin e Kosovës, është policia që përgjigjet, më pas vijnë EULEX-i dhe KFOR-i.
“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta nga policia jonë dhe KFOR-i në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është e përcaktuar. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet të ndryshojë”, tha Kurti.
Ndërsa zëvendës kryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla e ftuar në emsionin Open tha se Rama para se të japë rekomandime, duhej të këshillohej me politikanë e miq nga Kosova.
“Kryeministri shqiptar para se të japë rekomandime duhej të këshillohej me politikanë e miq, që të nxirrte konkluzione. Gjë që nuk ka ndodhur. Policia e Kosovës nuk ka qenë hakmarrëse, as ndaj terroristëve, as ndaj manastirit, por përkundrazi, kanë shkuar në shtëpitë e qytetarëve dhe u kanë dhënë ushqim. Nuk ka asnjë dilemë. Janë të afta institucionet të mbrojnë sigurinë e vendit”, u shpreh Gërvalla.
Më herët reagoi edhe Meliza Haradinaj, e cila e cilësoi si “çmenduri” atë që i pari i qeverisë tha sot në konferencën e zakonshme para gazetarëve.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, ish Ministrja e Jashtme theksoi se mbrojtja paralele, i paraprin ndarjes së Kosovës. Sipas saj skenari mbetet i njëjtë si para disa vitesh, por duke përdorur mjete të ndryshme.
“Kjo është çmenduri!’Protektorati’ eventual i veriut është parathënie për ndarjen e Kosovës… pra skenari i para pak vitesh. Mjeti tjetër, qëllimi i njejtë!”, shkruante ish Ministrja e Jashtme së Kosovës, Meliza Haradinaj.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është në një njëjtën linjë me kryeministrin Rama, madje bëri thirrje për tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.
“E përsërita kërkesën që sigurinë në veri të Kosovës ta marrin pjesëtarët e KFOR-it, i cili ka kapacitete për të parandaluar veprimet e dhunshme të Prishtinës”, tha Vuçiç.