Saimir Reçi, një ndër personat që ka pasur konflikt me Martin Bardhin, thotë se nuk ka lidhje me ekzekutimin e ndodhur në Rrëshen. 60 vjeçari u qëllua me breshëri kallashnikovi në lokalin e tij dhe humbi jetën menjëherë.
Ndër personat që janë shoqëruar në polici, janë kryesisht ata me të cilët Martin Bardhi kishte hasmëri. Një prej tyre dhe Saimir Reçi.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen dhe mund ta verifikoni lehtësisht dhe përmes kamerave apo dëshmitarëve ku kam qenë ditën ku ka ndodhur vrasja. Konfliktin që kemi patur është referuar në polici dhe ja kemi lënë në dorë drejtësisë”, ka thënë Saimir Reçi para hetuesve për herë të dytë.
Martin Bardhi kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi ishte arrestuar në mars të 2023, për tentativë vrasjeje. Gjithçka ka nisur pas një konflikti që ka pasur djali i tij, Enrik Bardhit me Saimir Reçin, nipi i Kastriot Reçit.
Dy të rinjtë janë konfliktuar fizikisht dhe më pas debati ka degraduar. Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe ka marrë armën e zjarrit për të vrarë Saimir Reçin. Sipas grupit hetimor, me të ka qenë dhe babai 60 vjeçar dhe të dy kanë qëlluar me breshëri plumbash Saimir Reçin, i cili lëvizte me makinë të blinduar.
I riu shpëtoi falë mjetit që përdorte, ndërsa Martin Bardhi u arrestua dhe djali i tij u shpall në kërkim. Disa kohë më pas, Prokuroria zbuti masën e sigurisë ndaj 60 vjeçarit duke e lënë me “detyrim paraqitje”.