Lajme

Dosja Gërdeci/ Shtyhet sërish gjyqi për ish-ministrin Fatmir Mediun

Është shtyrë për në 3 Tetor seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me çështjen e Gërdecit.

Shkak për këtë gjë është bërë kërkesa e avokatit të viktimave, Dorjan Matlia për t’u njohur me materialet dhe listën e dëshmitarëve të dorëzuar nga mbrojtja, ku mes tyre janë edhe personalitete të huaja ushtarake dhe politike.

Burime për mediat bëjnë me dije se SPAK ka kërkuar që të pyeten 52 dëshmitarë, ndërkohë më herët mbrojtja e ish-ministrit Mediu kërkoi që në seancë të jenë të pranishëm rreth 90 dëshmitarë.

Ndërkaq, prokurori Arben Kraja u shpreh kundër, pasi sipas tij, Mediu akuzohet për një fakt penal konkret dhe jo nëse demontimi duhej bërë apo jo. Gjykata pritet të shprehet në seancën e radhës për këtë çështje.

SPAK ka kërkuar që të japin dëshminë e tyre lidhur me tragjedinë e “Gërdecit” edhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha si dhe ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi.

Ngjarja që lidh Aldo Bumçin me Shkëlzen Berishën, është përmbajtja e letrës nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec. Kopja e kësaj kontrate i është dërguar nga zyra e Aldo Bumçit, ish ministër i Drejtësisë, djalit të Berishës, ku lart shkruhej “Për Shkëlzen Berishën”. Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë.

Ndërkohë, këto akuza janë hedhur poshtë si nga djali ish-kryeministrit edhe nga ish-ministri i drejtësisë. I pyetur nga SPAK Bumçi tha se shkrimi është falsifikuar dhe këtë ka bërë denoncim në prokurori asoj kohe, mirëpo ende nuk janë kryer hetimet.

Mediu akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim.

Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë.

Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”