ShowBizzz

Arrestohet një i dyshuar për vrasjen e reperit Tupac Shakur

Policia e Las Vegas ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen e reperit Tupac Shakur, e cila ka mbetur e pazbardhur prej 27 vitesh.

Dwayne Davis u arrestua të premten në mëngjes, sipas dy zyrtarëve të cituar nga Associated Press. Davis ka qenë prej kohësh i njohur për autoritetet, pasi ka pranuar në intervista se ai ishte në Cadillac-un nga i cili u qëllua për vdekje reperi.

Në qershor, Departamenti i Policisë së Las Vegasit njoftoi se kishte lëshuar një urdhër kërkimi për rastin. “LVMPD mund të konfirmojë se një urdhër kërkimi është dorëzuar në Henderson, Nevada më 17 korrik 2023, si pjesë e hetimit në vazhdim për vrasjen e Tupac Shakur,” tha policia e Las Vegas në një deklaratë.

Shefi i policisë së Las Vegasit, Jason Johanson, tha për Las Vegas Review Journal në atë kohë se detektivët po punonin sërish për çështjen e pazgjidhur.

“Është një rast që ka mbetur i pazgjidhur dhe shpresojmë se një ditë do të mund ta ndryshojmë atë”, tha ai për gazetën në atë kohë.

Tupac po shkonte në një klub nate pas një ndeshje të boksierit Mike Tyson me bashkëthemeluesin e Death Row Records, Suge Knight. Ndërsa BMW-ja luksoze e dy burrave priste në semafor, një Cadillac i bardhë shkoi pranë tyre dhe një person i armatosur i panjohur qëlloi 14 herë. Shakur u qëllua katër herë dhe vdiq më 13 shtator 1996.

Edhe pse nuk u arrestua kurrë, i afërmi i Davis Orlando Anderson u konsiderua i dyshuari kryesor. Anderson, një anëtar i bandës Crips, kishte konflikt me Tupac. Dy vjet më vonë ai u vra gjithashtu nga një bandë rivale.

Shakur, një nga reperët më të njohur të hip-hop-it, ishte vetëm 25 vjeç kur vdiq. Reperi shiti më shumë se 75 milionë disqe në mbarë botën. /abcnews.al