Lajme

Blinken telefonon Vuçiç, presidenti serb detyrohet të gënjejë për rritjen e gatishmërisë ushtarake

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka telefonuar vonë gjatë mbrëmjes së djeshme presidentin serb, Vuçiç, dhe i ka kërkuar këtij të fundit që të tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën. Kjo, pas informacioneve të inteligjencës amerikane për një dislokim të madh ushtarak.

“Ky është një zhvillim shumë destabilizues, që ka ndodhur gjatë javës së fundit.I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes”, ka njoftuar dje zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, John Kirby.

Menjëherë pas kësaj deklarate, sekretari Blinken ka telefonuar Vuçiçin dhe ia ka përcjell direkt këtë shqetësim.

Radio Televizioni i Serbise pasqyron kerkesen e SHBA dhe qendrimin e Vuçiç
Radio Televizioni i Serbise pasqyron kerkesen e SHBA dhe qendrimin e Vuçiç

Mirëpo, siç raporton transmetuesi publik serb, presidenti i vendit i ka quajtur gënjeshtra deklaratat se Serbia ka rritur nivelin e gatishmërisë ushtarake. Sipas Vuçiç, në kufirin me Kosovën janë më pak se gjysma e trupave që ishin dislokuar muaj më parë.

“Kur më parë e ngritëm gatishmërinë luftarake në nivelin më të lartë, kishte mijëra pjesëtarë të ushtrisë sonë. Kjo nuk po ndodh për momentin, por aktivitetet e rregullta janë intensifikuar disi”, është shprehur presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Një deklaratë kontradiktore nga i pari i shtetit serb, i cili thotë se niveli i gatishmërisë ushtarake nuk është rritur, por janë intensifikuar aktivitetet e rregullta ushtarake.

Në një reagim në Twitter pak pas telefonatës, Sekretari Amerikan i Shtetit ka zbardhur se çfarë ka biseduar me presidentin serb, ndërsa ka theksuar se Serbia është përgjegjëse për sulmin terrorist në veri të Kosovës.

“Fola me presidentin Vuçiç për të nënvizuar nevojën e menjëhershme për de-përshkallëzim të tensioneve me Kosovën dhe për të kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës për sulmet e funit të dhunshme. Gjithashtu, theksova rëndësinë e zbatimit të plotë të angazhimeve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE”, ka njoftuar Blinken pas telefonatës.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i SHBA, tha se nuk ka ndonjë informacion më të hollësishëm lidhur me arsyet për këtë grumbullim në kufi, por…

“Ne po e ndjekim (situatën) dhe po flasim për këtë sot këtu, për ta bërë të qartë se sa të shqetësuar jemi …një nga arsyet pse doja ta përmendja shumë qartë sot dhe të bënim komente publike përveç bisedave private, është që t’i nxisim serbët përmes kanaleve diplomatike që t’i tërheqin ato trupa, sepse edhe vetëm nga shtrirja, përmasat e tyre dhe prania e tyre, gjendja është mjaft destabilizuese”, tha ai.