Lajme

Agjentët e BKH në Universitetin Bujqësor, sekuestrojnë celularët e rektorit, tre dekanëve dhe shefit të Financës

Universiteti Bujqësor në Kamëz raportohet se është institucioni i radhës që përfshihet në “lupën” e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Mediat raportojnë se agjentët e BKH kanë zbarkuar në ambientet e universitetit dhe kanë sekuestruar celularët e drejtuesve.

Mësohet se në këtë institucion të arsimit të lartë janë gjetur tre dekanë dhe shefi i Financës dhe celularët e tyre janë sekuestruar.

Nuk dihet arsyeja e kësaj ndërhyrje të befasishme nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjithashtu, në “objektiv” ka qenë dhe rektori Fatbardh Sallakut, i cili është ndaluar duke u futur në Aeroportin e Rinasit dhe i është marrë celulari.

Më herët, agjentët e organit që ndihmon prokurorët e SPAK në hetime kanë sekuestruar celularët dhe në dy ministri të rëndësishme.

Gati 10 ditë më parë janë sekuestruar celularët e dy zyrtarëve të rëndësishëm në Ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa këtë javë hetuesit kanë zbarkuar në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, ku dhe aty kanë marrë aparatet celulare të zyrtarëve.

Për këtë lajm ka reaguar dhe studiuesi Taulant Muka, i cili thotë se “ka ardhur koha të vendosim drejtësi në arsim, dhe universiteti ti kthehet akademikëve me vlera.”

Shenimi i studiuesit Taulant Muka
Shenimi i studiuesit Taulant Muka