Lajme

Shiste kanabis pranë shkollave, prangoset 23-vjeçari në Laprakë (EMRI)

Një 23-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke shitur kanabis pranë një shkolle në Laprakë.

Mësohet se është arrestuar shtetasi Flavio Brozi, të cilit iu gjet lënda narkotike, e ndarë në doza gati për shitje. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se i riu pasi siguronte drogën, e shiste më pas në afërsi të shkollave, në zonën e Laprakës.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se në afërsi të disa shkollave në Laprakë, një shtetas shiste lëndë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në rrugën “Gjergj Legisi”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 23 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 23-vjeçarit, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste më pas në afërsi të shkollave, në zonën e Laprakës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”-njofton Policia.