Kuriozitete

Burrat apo gratë, cilët thonë të parët ‘Të dua’?

Të thuash “të dua” për herë të parë është një emocion i madh, por edhe siklet, sepse guximi për të thënë këtë shprehje të bukur, sjell me vete edhe rrezikun që ju të mos merrni përgjigjen që prisnit.

Një ekip studiuesish nga Abertay University Dundee në Skoci, morën në studim një grup njerëzish për të parë mënyrën si e shkëmbenin këtë shprehje.

Studimi i publikuar nga Shoqëria Psikologjike Britanike, përfshiu 3,109 pjesëmarrës nga shtatë vende (Australia, Brazili, Kili, Kolumbia, Franca, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar), të cilëve iu kërkua të plotësonin pyetësorë në internet. 70% e tyre përbëhej nga gratë, 30% nga burrat.

Në sondazhin e parë, pjesëmarrësit iu përgjigjën gjashtë pyetjeve në lidhje me deklaratat e dashurisë, duke përfshirë “cili partner tha ‘të dua’ i pari” në marrëdhënien e tyre më të fundit. Më pas, ata u pyetën se pas sa kohësh në lidhje filluan të mendonin për të thënë “të dua”, kur e thanë në të vërtetë dhe kur partneri i tyre bëri të njëjtën gjë.

Kush thotë “të dua” i pari?

Rezultatet zbuluan se në gjashtë nga shtatë vendet, burrat kishin më shumë gjasa ta shprehnin të parët dashurinë. Burrat thonin “të dua” pas 69 ditëve (2.2 muaj) në një lidhje, ndërsa gratë e konsideronin këtë shprehje për ta shprehur pas 77 ditëve (2.5 muaj). Vetëm në Francë nuk kishte dallime domethënëse gjinore për këtë çështje.

Studiuesit thanë se këto rezultate mund t’i ndihmojnë të rishqyrtojnë hipotezat e tyre mbi gjininë, dashurinë dhe faktin pse njerëzit presin deri në 100 ditë për të shprehur apo dëgjuar thënien e shumëpritur: “Të dua!”