Lajme

Parlamenti Evropian miraton “Aktin e Lirisë së Medias”: Mburojë për gazetarët dhe mediat në Evropë

Parlamenti Evropian miratoi qëndrimin e tij mbi Aktin Evropian të Lirisë së Medias (EMFA) të martën (3 tetor), duke u bërë përpjekja e parë në nivelin e Bashkimit Evropian për të krijuar një kornizë të përbashkët detyruese për shërbimet e medias.

EMFA, i propozuar nga Komisioni Evropian në shtator 2022, i prezanton rregulla të reja për reklamat shtetërore, transparencën e pronësisë, matjen e audiencës dhe mbrojtjen e burimeve dhe komunikimeve gazetareske, si dhe masa mbrojtëse për mediat e shërbimit publik, nëpërmjet qasjes ligjore të rregullimit të tregut të brendshëm.

Ky është një rregullator që vjen si nevojë e mediave dhe gazetarëve në mbarë Evropën, për t’u mbrojtur nga qeveritë përkatëse, apo aktorë të lidhur me to, të cilët shfrytëzojnë të drejtat e pakontrolluara të pronësisë intelektuale për t’u mbyllur gojën mediave të caktuara.

Akti krijon një kornizë për të “ruajtur pavarësinë editoriale të mediave evropiane, për të përmirësuar rregullimin e medias nëpërmjet masave të transparencës dhe […] për të mbrojtur gazetarët në të gjithë Evropën”, tha eurodeputetja Sabine  Verheyen (EPP), raportuese dhe kryetare e komitetit të kulturës dhe arsimit në Parlamentin Evropian.

Të martën, Parlamenti miratoi tekstin që do të përdorë si mandat për negociatat me Këshillin dhe Komisionin e BE-së me një shumicë të madhe – 448 pro.

“Votimi i sotëm në Parlament është një zhvillim pozitiv pasi na çon një hap më tej në vendosjen e masave të përbashkëta mbrojtëse në nivel të BE-së për të garantuar një pluralitet zërash dhe që mediat tona të jenë në gjendje të funksionojnë pa asnjë ndërhyrje, qoftë private apo publike”, ka thënë një nga zyrtarët e lartë të BE për Euractiv.

Eurodeputetja Irena Joveva (Rinovo) tha në një konferencë para votimit se “nuk duhet të nënvlerësojmë se sa e tmerrshme është situata në Evropë për lirinë e medias. Ka nivele të ndryshme ndërhyrjesh në shtetet anëtare, por asnjë vend nuk është imun ndaj presioneve të tilla”.

Reporterët pa Kufij (RSF) dhe mbikëqyrësi i të drejtave të njeriut Liberties vlerësuan gjerësisht raportin e miratuar si më të mirë se përsëritjet e mëparshme, duke theksuar, në veçanti, forcimin e bazave të të dhënave të pronësisë së mediave dhe garantimin e konfidencialitetit të burimeve gazetareske.