Lajme

Çështja e Gërdecit, Shabani: SPAK ka bërë arrestime të rëndësishme, është në rrugën e duhur

efundit

Kryetari i Nismës Thurje, Endrit Shabani ka thënë se SPAK  është në drejtimin e duhur përsa i përket hetimit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për çështjen e Gërdecit.

Duke folur në “Open”, Shabani tha se ka besim në SPAK se do të bëjë drejtësi që nuk është bërë në 30 vite. Ai shprehet se janë bërë arrestime të rëndësishme këtë vit kur erdhi në detyrë prokurori i lartë i SPAK, Altin Dumani.

Sipas tij, ka një zhvillim pozitiv përsa i përket ndëshkimit të zyrtarëve të lartë nga SPAK.

“Nuk e dimë deri ku do shkojë ky hetim. Niveli më i lartë është te Mediu. Unë kam besim se SPAK do bëjë atë që drejtësia nuk e ka bërë në 30 vite. Uroj të shkojë në dy nivele, që është komandues, djali i ish-kryeministrit. Burgu nuk vendos drejtësi.

Përveç ndëshkimit në nivele të larta duhet edhe konfiskimi i pasurive. Është ende fillimi, ka marrë më gjate seç duhet por kemi parë ministra, deputetët, kryebashkiak në burg. Deri më parë nuk kishim parë. As ‘ish’ zyrtarët nuk i kemi parë në burg. Arrestimet më të rëndësishme janë bërë këtë vit, që kur ka marrë postin Dumani. Ka një zhvillim pozitiv, është pak, por është në drejtimin e duhur”, tha Shabani.