Lajme

13-vjeçarja lindi në tualetin e spitalit në Greqi, flet i ati: Do të jem baba dhe gjysh për nipin tim

Babai i 13-vjeçares që u bë nënë për herë të parë pa e ditur që ishte shtatzënë ka folur për mediat greke. Ai tha se me bashkëshortja e tij do ta rrisin fëmijën si fëmijën e tyre.

“Fëmija është shumë mirë. Do të jem edhe baba edhe gjyshi i nipit tim. Unë kam rritur katër fëmijë dhe do ta rris këtë si timin. Unë dua që vajza ime të vazhdojë shkollimin dhe ne do të jemi pranë saj”, tha ai.

I pyetur nëse e dinin për shtatzëninë e fëmijës, ai u përgjigj: “Nuk dinim asgjë, po ta dinim do ta kishim çuar në një klinikë të duhur për të lindur. Nuk e di nëse ajo e dinte. Kishte shtuar pak në peshë, por barku nuk i dukej dhe nuk e kishim menduar”.

Gjithçka nisi të shtunën e kaluar, kur prindërit e saj e dërguan në urgjencën e spitalit pasi kishte dhimbje të forta barku. Mirëpo, pediatri nuk arriti ta kuptonte gjendjen e vajzës. Ajo u gjet në banjo me kordonin e kërthizës të varur dhe me fëmijën aty pranë.

Më pas, 13-vjeçarja i është nënshtruar një radiografie për të parë nëse ka ndonjë komplikacion dhe në mungesë të mjekut gjinekolog është transferuar në spitalin e Siros ku po trajtohet me foshnjën e saj.

Vlen të theksohet se në spitalin e Naxosit në atë kohë nuk kishte mjek radiolog, për këtë arsye e mitura nuk i është nënshtruar ekografisë përpara se të lindte në tualet. E mitura u ka treguar psikologëve të fëmijës se babai i vogëlushit është shok klase i saj, por të afërmit e saj theksojnë se nuk dinë asgjë.