Lajme

Balla dhe Rrumbullaku në Mirditë pas riorganizimit të Policisë: Fenomeni i të fortëve të marrë fund, mos lini njeri pa kontrolluar!

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka qenë sot në Komisariatin e Mirditës, për të lënë porositë e tyre për drejtuesit e rinj. Atentati në Rrëshen ditë më parë bëri që struktura drejtuese e Policisë atje të shkrihej.

“Nga informacioni që unë kam, ky Komisariat Policie ka të evidentuara 88 familje të prekura nga  fenomeni i gjakmarrjes që është një numër i madh dhe që natyrshëm e vendos Policinë, por bashkë me policinë, edhe drejtësinë, në një përgjegjësi më të madhe”, është shprehur Balla.

AI ka kërkuar nga drejtuesit e rinj të Policisë që të rrisin prezencën policore dhe zbulueshmërinë e ngjarjeve të rënda kriminale, si mënyrë për të parandaluar krimet e reja që vijnë për shkak të tyre.

“Qytete të vogla si Rrësheni, Rubiku, bashki të vogla si Mirdita, por në të gjithë Shqipërinë, nuk duhet të ekzistojë më askush që nuk kontrollohet, që nuk verifikohet, që nuk ndalohet. Ne e quajmë fenomeni i të ‘fortëve’, por ky fenomen duhet të marrë fund”, tha ministri i Brendshëm.

Taulant Balla theksoi se në momentin që një nga anëtarët e organizatës së Policisë mbyll sytë në momentin që në një lokal, në një rrugë, në një makinë fshihet një armë, ajo armë mund të jetë burimi dhe arsyeja e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

“Prandaj na duhet domosdoshmërisht që ne të rrisim kontrollin”, shtoi ministri, teksa paralajmëroi që cilido nga radhët e Policisë së Shtetit që do të bëjë një vesh shurdh apo një sy qorr përballë krimit dhe paligjshmërive, duhet të largohet vetë nga kjo organizatë.

“Por kush nga ju do vazhdojë me modelin e vjetër të mbylljes së syrit apo të veshëve, të kthimit të kokës nga krahu tjetër kur në krahun tjetër të rrugës ndodh një problematikë apo shfaqet një ‘i fortë’, duhet ta ndajë mendjen mirë dhe të na japë dorën sot, e të ikë.

O do i shkojmë kësaj gjëje bashkë deri në fund, ose kush nuk ka dëshirë, le ta lërë që sot. Sepse një prej shqetësimeve që më kanë shprehur banorët e Rrëshenit është pikërisht fenomeni i familjarizimit”, përmbylli Taulant Balla në Mirditë.