Lajme

Dënohet me 1.6 vite burg  Fran Tuci, ish-kryebashkiaku socialist i shkaktoi 234 milionë lekë dëm shtetit

Ish-kryebashkiaku socialist i Fushë Arrëzit është dënuar me 1.6 vite burg nga Gjykata e Posaçme. Fran Tuci akuzohej nga SPAK për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës”, shkruan newsbomb.al.

Gjithashtu, togat e zeza kanë vendosur që t’i heqin atij të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Fran Tuci është shpallur fajtor pasi gjatë periudhës që ka qenë kryebashkiak ka lejuar, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, hapjen e një segment rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5m. Rruga e re është hapur në një sipërfaqe pyjore duke dëmtuar rëndë terrenin.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

Akuza e Prokurorisë së Posaçme – SPAK

Nga veprimet hetimore ka rezultuar e provuar se ish titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, shtetasi F.T., në bashkëpunim më ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, shtetasin N. M., me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente.

Punimet për hapjen e këtij segmenti të ri rrugor është provuar të jenë kryer nga shtetasi D. M., administrator i një subjekti tregtar privat. Ky shtetas, duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa patur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

Lexo edhe: Arrestimi i ish-kryebashkiakut, SPAK njoftim: Lejoi hapjen e një rruge, shkaktoi dëm 234 milionë lekë