Lajme

Dhuna barbare ndaj Bibil dhe Jashar Majës, PD kërkesë Prokurorisë: Rishikoni akuzat

Partia Demokratike ka kërkuar rishikimin e akuzës për anëtarët e fisit Rraja, të cilët dhunuan barbarisht Bilbil dhe Jashar Majën. Përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka, PD-ja i bën thirrje Prokurorisë të rishikojë edhe njëherë akuzat “Plagosje e lehtë” dhe “kanosje”.

Sipas Nokës dhuna me shkop bejsbolli ku pati dëmtim të kockave të kafkës dhe thyerjes së dorës, nuk mund të konsiderohet si e lehtë.

“Në asnjë teori apo literaturë të kriminalistikës, dhuna e ushtruar ndaj Majave nuk mund të përkufizohet si ‘plagosje e lehtë’. Prokuroria flak nga akuza shkopinjtë e bejsbollit, të cilët në asnjë manual, hiq rastin kur përdoren në rolin e tyre fillestar, për të luajtur bejsboll, nuk mund të konsiderohen si mjete të dhunës së lehtë.

Thyerja e dy kockave të kafkës dhe parakrahut, vlerësohet plagosje e lehtë nga Prokuria dhe kjo është tallje cinike me viktimat. Eshtë mbrojtje e hapur e kriminelëve. Edhe te termi ‘kanosje’, Prokurorisë i merret goja dhe këmbët. A e kanë parë prokurorët të paktën një anëtar të Rrajave që i rri me pistoletë te koka kushërinjve të gjakosur dhe përdhosur Maja?!

Një pistoletë e drejtuar, jo në kushtet e vetëmbrojtjes, por të agresionit është kërcënim për jetë, jo kanosje.

Partia Demokratike e konsideron një turp për prokurorinë akuzën e ngritur, e dënon me neveri dhe kërkon rishikimin e saj. Edhe pse presioni i qeverisë, i të fortëve të fisit apo shoqërisë së Rrajave, ka qenë i pranishëm, prokurorët janë të dënuar të japin drejtësi sidomos në raste të tilla kur ceshtjet, para se të shkojnë te organi i akuzës, kanë kaluar nga gjykata e opinionit publik”, ka deklaruar Noka.