Lajme

Lufta kundër Izraelit, reagon udhëheqësi i Hamasit: Fitore masive, jemi të përgatitur për çdo skenar

Ismail Haniyeh, lideri i grupit militant palestinez Hamas, ka reaguar pas sulmit kundër Izraelit.

“Ne jemi afër arritjes së një fitoreje të madhe. Jemi të përgatitur për çdo skenar” tha ai, teksa theksoi se fraksionet e armatosura palestineze synojnë të zgjerojnë betejën në Gaza, në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem.

Hamasi nisi sulmin më të madh ndaj Izraelit  duke vrarë dhjetëra njerëz dhe duke marrë pengje, përmes një sulm të befasishëm me breshëri raketash të lëshuara nga Rripi i Gazës.

Izraeli tha se grupi i mbështetur nga Irani kishte shpallur luftë, ndërsa ushtria e tij konfirmoi luftimet me militantët dhe u zotuan për hakmarrje.

Në një fjalim televiziv, Haniyeh iu drejtua vendeve arabe që kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin në vitet e fundit duke thënë se Izraeli nuk mund t’u sigurojë atyre asnjë mbrojtje.

“Ne u themi të gjitha vendeve, përfshirë vëllezërit tanë arabë, se ky ent, i cili nuk mund të mbrohet përballë rezistencave, nuk mund t’ju sigurojë asnjë mbrojtje. Të gjitha marrëveshjet e normalizimit që keni nënshkruar me atë entitet nuk mund ta zgjidhin këtë konflikt”, tha ai.

Në vitin 2020, Izraeli arriti normalizimin me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin dhe përmirësoi lidhjet me Marokun dhe Sudanin, pavarësisht se bisedimet me palestinezët ishin ngrirë për vite me radhë.

Arabia Saudite dhe Izraeli janë gjithashtu të angazhuar në bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre.