A e keni pyetur ndonjëherë veten nëse miqtë tuaj katërputroshë e shohin ngjyrën e fortë rozë ose nuancën kafe të lodrës së re që i keni blerë?
Njerëzit në TikTok po përdorin një filter shikimi të qenve për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Me filtrin e theksuar, kafshët e shohin botën në nuancat blu, të verdhë dhe gri – të vetmet ngjyra që mund të perceptojë qeni juaj.
Por, a e shohin vërtet kështu botën miqtë tuaj me gëzof?
Qentë zotërojnë dy lloje receptorësh që shohin ngjyrat në retinat e tyre. Qentë kanë vetëm 1/10 e përqendrimit të kapjes së ngjyrave në krahasim me njerëzit, shkruan Scientific American.
Qentë shohin vetëm dy ngjyra: blu dhe të verdhë, si dhe ndonjë nuancë të përafërt të këtyre ngjyrave. Pjesa tjetër e botës së tyre shfaqet në ngjyrë gri ose nuanca të zymta.
Qentë e kanë të vështirë të dallojnë një top të kuq apo jeshil që ju mund t’i keni hedhur për të luajtur, por për të dalluar topin ata vënë në lëvizje shqisa të tjera, nga nuhatja tek lëvizjet, forma e mënyra si reflektohet drita.
Në perceptimin e qenve rëndësi ka edhe shqisa e nuhatjes, e cila është 10 mijë deri në 100 mijë herë më e fuqishme se ajo e një njeriu. Njerëzit kanë rreth pesë milionë receptorë nuhatjeje, ndërsa qentë deri në një miliard, citon Anabel.
Kur bëhet fjalë për blerjen e lodrave për katërputroshët tuaj, jo gjithmonë duhet të zgjidhni dy ngjyrat që ata mund të shohin: të verdhën dhe blunë. Ju mund të blini dhe lodra në ngjyra të tjera për të pasuruar lojën me kafshën tuaj.