Lajme

Frikë për konflikt më të gjerë, grupi militant libanez Hezbollah bombardon bazën ushtarake të Izraelit

Grupi militant libanez Hezbollah dhe ushtria izraelite kanë shkëmbyer zjarr përgjatë kufirit jugor të Libanit, duke shkaktuar shqetësime për një konflikt më të gjerë rajonal.

Hezbollahu mori përgjegjësinë për bombardimin e një baze ushtarake të Izraelit në një zonë të territorit të diskutueshëm pranë kufirit me Libanin.

“Vendet e radarit, Zibdin dhe Ruëaisat Al-Alam u bombarduan me një numër të madh predhash artilerie dhe raketash të drejtuara. Ne shënjestruam tre vende të okupimit izraelit në zonën e pushtuar libaneze të fermave Sheb”, thanë ata në një deklaratë, të raportuar nga Al Jazeera.

Fermat Shebaa është një rrip i vogël territori i diskutueshëm përgjatë kufirit libanez të Lartësisë Golan, territor sirian të cilin Izraeli e ka pushtuar që nga Lufta 6-ditore e vitit 1967. Zona ka qenë një pikë zjarri për konfliktin midis Hezbollahut dhe forcave izraelite për dekada.

Forcat izraelite të mbrojtjes thanë se ata qëlluan mbi zonat në Libanin jugor si përgjigje, duke përfshirë përdorimin e një droni për të shënjestruar pozicionet e Hezbollahut në zonën përreth Fermave Shebaa.

Po ashtu më herët Ministria palestineze e shëndetësisë në Gaza thotë se 256 palestinezë, përfshirë 20 fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në 24 orët e fundit. 1788 persona të tjerë janë lënduar. Forcat Ajrore izraelite publikuan më herët pamjet e sulmeve të saj në ndërtesa të shumta në Rripin e Gazës ku thuhet se ndodhen objektivat ushtarake të Hamasit.

Autoritetet izraelite thanë se kanë filluar të evakuojnë banorët.