Lajme

IKMT në lagjen e pasanikëve të Tiranës, prish vilat pa leje në “Rolling Hills”

Policia e Shtetit dhe ekipet e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë zbarkuar këtë të hënë në lagjen e pasanikëve në Tiranë, në “Rolling Hills”. Mësohet se një numër vilash në ndërtim e sipër dhe të tjera pa leje, janë prishur.

Ekskavatorët e IKMT kanë nisur prishjet e ndërtimeve pa leje dhe shtesave, në zonën e vilave në Lundër, ndërsa në mbështetje kanë qenë dhe njësitë e Policisë së Tiranës.

Deri tani, nuk bëhet me dije të ketë pasur rezistencë dhe po ashtu as persona të ndaluar e shoqëruar. Vilat e “Rolling Hills” janë ndër më të shtrenjtat në Shqipëri dhe ndodhen në periferi të Tiranës. Aty jetojnë personazhe të njohur të politikës, biznesit, medias dhe jo vetëm.

Operacioni i sotëm në lagjen e pasanikëve është përshëndetur dhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka theksuar se Policia dhe IKMT po angazhohen çdo ditë, pa asnjë dallim se ku ndodhen apo kush i zotëron këto ndërtime pa leje.

Ai thekson se të gjithë duhet të japin llogari para ligjit, ndaj me interes pritet të shihet se cilët do të jenë personat që do arrestohen apo shoqërohen nga Blutë e Tiranës për vilat dhe shtesat në to, pa leje.

“Policia e Shtetit dhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit po angazhohen çdo ditë për dhënien fund të ndërtimeve, shtesave pa leje dhe çdo shfaqje tjeter abuzive, pa asnjë dallim se ku ndodhet apo kush e zotëron. Të gjithë duhet të japin llogari para ligjit dhe askush nuk mund të shpërfillë me arrogancë komunitetet, duke ndërtuar pa leje.

Na duhet një angazhim edhe më i madh i të gjitha bashkive dhe agjencive për identifikimin, penalizimin, shembjen apo konfiskimin për interes publik të të gjitha sipërfaqeve në pallate, qendra biznesi, hotele të ndërtuara në shkelje të ligjit. Të gjitha katet e konfiskuara do të shkojnë për strehim social apo për mjedise pune për institucionet publike”, shkruan ministri Taulant Balla.