Lajme

Policia arreston gjahtarin që “kryqëzoi” shqiponjën e gjallë, në shtëpi i gjejnë dhe dy sorkadhe të vrara

Policia ka identifikuar dhe arrestuar 35-vjeçarin me inicialet N.A, i cili ditën e diel kryqëzoi për së gjalli një shqipëonjë, veprim i cili tronditi opinionin publik.

Autoritetet njoftojnë se gjatë kontrollit fizik në shtëpinë e 35-vjeçarit, janë gjetur dy sorkadhe të cilat ky shtetas ka pranuar se i ka vrarë me çifte dy ditë më parë.

Në vijim të veprimeve, u krye arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, pasi dyshohet të jetë autori i keqtrajtimit të shqiponjës, me qëllim balsamosjen. Materialet proceduriale i kaluan prokurorisë pranë Gjykatës së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë

Përmet

Identifikohet dhe arrestohet autori i keqtrajtimit të shpendit (shqiponjë), ngjarje e ndodhur ditën e djeshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, bazuar në inteligjencën policore, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për identifikimin e autorit të keqtrajtimit të shpendit shqiponjë, ditën e djeshme, kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e shtetasit N. A., 35 vjeç, banues në Përmet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 sorkadhe të cilat ky shtetas ka deklaruar se i ka vrarë me armë gjahu (çifte), dy ditë më parë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. A., pasi dyshohet të jetë autori i keqtrajtimit të shpendit (shqiponjë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.