Lajme

Udhëheqësit e Britanisë, SHBA-së, Francës, Italisë dhe Gjermanisë janë “të bashkuar”: Jemi me Izraelin! Njohim liritë e palestinezëve, por jo Hamasit

Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, SHBA-së, Francës, Italisë dhe Gjermanisë sapo kanë lëshuar një deklaratë e cila shpreh “dënimin pa mëdyshje të Hamasit dhe akteve të tij të tmerrshme të terrorizmit”.

Deklarata e përbashkët vjen pas një telefonate midis presidentit Macron, kancelarit Scholz, kryeministrit Meloni, kryeministrit Sunak dhe presidentit Biden.

“Veprimet terroriste të Hamasit nuk kanë asnjë justifikim, nuk kanë legjitimitet dhe duhet të dënohen botërisht”, thuhet në deklaratë.

Një mesazh i qartë u dërgohet dhe grupeve militante apo shteteve të tjera arabe që duan të përfshihen në konflikt, veçanërisht Iranit dhe grupit terrorist Hezbollah.

“Vendet tona do ta mbështesin Izraelin në përpjekjet e tij për të mbrojtur veten dhe popullin e tij kundër mizorive të tilla,” vazhdon deklarata, duke shtuar: “Ky nuk është një moment për asnjë palë armiqësore ndaj Izraelit për të shfrytëzuar këto sulme për të përfituar”.

Po ashtu, deklarata thekson se udhëheqësit e vendeve evropiane dhe SHBA, njohin kërkesat e palestinezëve dhe mbështein masat e barabarta për drejtësi e liri, por ata nuk kanë lidhje me Hamasin.

“Të gjithë ne njohim aspiratat legjitime të popullit palestinez dhe mbështesim masa të barabarta drejtësie dhe lirie për izraelitët dhe palestinezët. Por mos bëni gabim: Hamasi nuk përfaqëson ato aspirata dhe nuk ofron asgjë për popullin palestinez përveç më shumë terror dhe gjakderdhje.”