Lajme

“Baroni i drogës” Gëzim Çela në arrati, gazetarja: Ai informohej nga policët

Gazetarja Etleva Delia ka komentuar zhvillimin më të fundit nga Policia e Shtetit lidhur me operacionin “Flakë në Det”, ku u shpall në kërkim “Baroni i drogës” Gëzim Çela.

E ftuar në emsionin “Real Story” në ABCnews, Delia tha se  Çela gjithnjë ka pasur mbështetje dhe informacione nga vetë punonjës policie, prnadaj sipas saj, ish-oficeri i Forcave Speciale ishte një hap para.

“Fushë Kuqa është një zonë problematike dhe është kthyer në vëmendje edhe nga Ervis Martinaj. Por prej vitesh njihet qoftë dhe nga laboratorë dhe aktivitetet e tjera kriminale. Gëzim Çela ka pasur mbështetje edhe falë njohjeve që kishte me punonjës policie.

Ai kishte që prej 2014 që ishte në person në kërkim. Është mbështetur dhe është informuar, ka qenë gjithmonë një hap përpara. Gjithmonë kontrollet që janë thënë se janë bërë në banesën e Gëzim Çelës, janë bërë thjesht formale sa për ti thënë shefit që janë bërë. Më vonë dolën në skenë disa urdhra gjykate që kishin shmangur ekstradimin e Gëzim Çelës në drejtim të Italisë”, tha ajo.

Gëzim Çela njihet si një nga “bosët” e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa dushohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafikun e lëndëve narkotike.

Në atë vilë, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë dhe 150 kilogram kanabis sativa, ndërsa në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërruan një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Por Çela u lirua nga Gjykata me argumentin se vuante nga një sëmundje e rëndë, por më pas u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”, por kur policia rrethoi shtëpinë e tij në Mamurras, ai ia kishte mbathur.

Për Çelën ekziston edhe një dënim nga Gjykata Italiane me 11 vite burgim dhe 150 mijë euro gjobë.