Lajme

Vuçiç për Radojçiqin: Do të ngrihet aktakuzë ndaj tij, hetimet do të vazhdojnë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur sërish lidhur me Millan Radojçiqin. Gjatë një vizite në një institut mjekësor në Beograd të Serbisë ai bëri me dije se autoritetet serbe do të ngrenë aktakuzë ndaj Radojçiqit pasi të përfundojnë hetimet të cilat janë duke u zhvilluar ndaj tij pasi mori përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës.

 “Prokurori po e ndjek atë për krime serioze, të cilat ai vetë i ka pranuar. Hetimi do të vazhdojë dhe më pas do të ngrihet aktakuzë. Kjo do të tregojë se prej nga kanë ardhur paratë dhe armët e paligjshme. Zbulimi i kësaj është obligimi ynë ndërkombëtar dhe kjo do të bëhet”, tha Vuçiç.

Ndër të tjera presidenti serb shtoi se autoritetet ushtarake dhe civile po hetojnë rrethanat e ngjarjes në Banjskë dhe se publiku do të informohet për rezultatet e hetimit.

Kujtojmë se më 24 shtator një grup kriminelësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë efekti Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për organizimin e sulmut e mori Radojçiqi i cili më pas dha dhe dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

Radojçiq u ndalua nga policia e Serbisë, mirëpo një ditë pas marrjes në pyetje Gjykata e Beogradit e la të lirë.